Aurel Thellimi rrëfen anën e panjohur të tij
“Aventurat e Alfios” nga Alfio Rrotani në Tv Klan kësaj here iu drejtua kalasë së Petrelës. Pranë një lumi të bukur, Alfio dhe i ftuari i këtij episodi, Aurel Thellimi përdorën një teknikë të veçantë gatimi dhe sigurisht, biseduan gjatë përgatitjes së vaktit të tyre.
Aurel Thellimi është një këngëtar i afirmuar në muzikë, i dashur nga të gjithë, por nëse nuk do kishte profesion, çfarë do të bëhej? Ai rrëfen c’kurs do të kishte marrë jeta e tij nëse nuk do të kishte qenë muzika dhe nuk lë mënjanë as humorin pasi kujton një episod fëmijërie.
Alfio Rrotani: Po mos të ishe marrë në jetën tënde me muzikë, çfarë do të kishe bërë, çfarë pasioni tjetër ke?
Aurel Thellimi: Me thënë të vërtetën, kam qenë shumë pas shkencave ekzakte, kam qenë një nxënës shumë i mirë në matematikë, ne bënim algjebër-gjeometri atëherë. Mund të them që kam fituar vendin e parë në tërë Shqipërinë në një konkurs matematike.
Kam patur një mësuese muzike që kam shumë vite pa e parë, ka ngelur në kujtesën time, quhej Fatime Barmashi, ka qenë një femër shumë e bukur, e kuruar në ato kohë. Ajo hyri në klasë, kishte edhe artikulim shumë të bukur dhe fjala më e rëndomtë që mund të thoshte ajo atëherë për ne nxënësit, se kemi qenë të prapë dhe e dinim që kishim muzikë, do hynte Fatimja në klasë që thoshte “Mizerable! Për ju do mbledh këshillin pedagogjik.” Më ka ngelur kjo shprehje, më shoqëron dhe kënga e Armend Rexhepagiqit “E neveritshme, e mërzitshme, në gjendje të rrezikshme”, këto janë dy gjërat që më shoqërojnë gjithë kohës në mendjen time.
Mendoj që do isha bërë një ekonomist shumë i mirë, por jo për shtëpi. E di pse? Sepse kur kalon pas moshës 35 vjeç, mendoj unë, te unë ka ndodhur kështu, nuk e di a ka ndodhur edhe te të tjerët, fillon mbivlerësimi për veten, një lloj egoizmi mashkullor që koha të duket shumë e shkurtër dhe ti do të bësh çdo gjë shpejt./tvklan.al