Gjykata e Kukësit shtyn seancën ndaj të akuzuarve për trafikimin e heroinës (25 Prill 2002)
Gjykata e Kukësit shtyu seancën e parë ndaj dy të akuzuarve për trafikimin e 20 kilogramëve heroinë të kapur në kufirin e Morinës.
Shoferi i ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Rrugëve, Shkëlqim Konçi dhe i pandehuri Ylli Ibrahimi nuk u paraqitën në gjykatë. Ata ndodhen aktualisht të paraburgosur në burgun e Krujës, po ashtu mungoi edhe avokati i tyre mbrojtës, Vladimir Meçe.
Megjithatë prokurorët e çështjes e njohën trupin gjykues me akuzat e të pandehurve që janë trafikimi i lëndëve narkotike, falsifikim dokumentesh dhe armëmbajtje pa leje. Gjyqtari Isuf Shehu e shtyu seancën për datën dy të muajit tjetër.
Ylli Ibrahimi dhe Shkëlqim Konçi u ndaluan në shkurt në Kukës sepse në automjetin me targa policie, uniformat blu pretenduan se gjetën 20 kilogram heroinë të futura në një çantë.
Të pandehurit janë ende të izoluar në Krujë dhe pritet që avokatët mbrojtës të kërkojnë në seancën tjetër transferimin e tyre në Komisariatin e Kukësit, përderisa çështja do të gjykohet në këtë qytet./tvklan.al