Mbyten 2 vëllezër në rezervuarin e Vorës – (24 Qershor 2002)
Lajme Arkiva – TV Klan 2002
Dy vëllezër kanë gjetur vdekjen në ujërat e një rezervuari në Vorë të Tiranës. Qemal Murati dhe vëllai i tij Saimiri, 21 dhe 18 vjeç u nxorën të pajetë nga rezervuari, ku sipas policisë kishin gjetur vdekjen që dje pasdite. 18 vjeçari është futur në ujë për t’u freskuar por pak minuta më pas ai ka kërkuar ndihmë sepse rrezikonte të mbytej. Menjëherë është futur në ujë për ta ndihmuar vëllai tjetër, por ka humbur jetën.
Sipas banorëve të kësaj zone, viktimat mund të kenë mbetur në baltën e rezervuarit, e cila ka bërë të pamundur mbijetesën e tyre. Saimir dhe Qemal Murati, me origjinë nga fshati Shëngjergj, jetonin pranë fabrikës së tullave në Vorë. Edhe pse kanë humbur jetën që dje pasdite, banorët e zonës e kanë pasur të pamundur t’i nxjerrin. Sot në mëngjes, policia i transportoi trupat e viktimave në morgun e spitalit të Tiranës, për t’i bërë ekspertizën./tvklan.al