Aktivistja i bën dedikim të përjetshëm kushëririt të saj me sindromën Down
Jetesa larg Meritonit, nuk e ka ndarë aspak Fjolla Rracin nga ai, madje ajo i ka kushtuar një dedikim të përjetshëm kushëririt të saj, por edhe të gjithë njerëzve me sindromën Down.
Për të qenë me numër të barabartë kromozomesh me Meritonin, Fjolla ka bërë si tatuazh në krahun e saj një kromozom shtesë, për të cilin tregon pak më tepër në emisionin “Shije Shtëpie” në Tv Klan. Tani kanë të dy nga 47 kromozome.
Fjolla Rraci: Është kromozomi. Meritoni, për shkak të sindromës Down ka një kromozom shtesë dhe mënyra e vetme që unë të isha e barabartë me Meritonin, ka qenë që unë të bëja një kromozom në trupin tim, kështu që në momentin që dikush do të thojë që ne nuk jemi të barabartë, jemi të barabartë deri në qelizën e fundit sepse kemi edhe kromozomin e njëjtë. Ne jemi të barabartë në çdo mënyrë të mundshme.
Fjolla rrëfen edhe vështirësitë e rritjes me Meritonin, siç janë paragjykimet, pavarësisht gjithë pjesës së bukur që shoqëron të folurit për të.
Fjolla Rraci: Për ta kaluar të gjithë pjesën emocionale dhe të bukur, nuk është gjithçka sa është kur unë flas duke zgjedhur temat më të mira dhe të bukura për të shpjeguar jetën e Meritonit. Ka pasur edhe shikime që njerëzit dinë t’i bëjnë, ka pasur paragjykime, ka pasur gjithçka që mund të të shkojë mendja që është jo e mirë. Si jam ndierë? Si ndjenja e bukur që s’mund ta përshkruash, është edhe ajo ndjenja e keqe që ndonjëherë s’mund t’i vësh emrin. Edhe pse ka kaluar shumë kohë, akoma vazhdon të ketë paragjykime dhe diskriminime të tilla. E kemi zakon të paragjykojmë atë që nuk e njohim dhe nuk e dimë, ndonjëherë ndoshta edhe ne nuk duhet t’i gjykojmë ata sepse mund ta bëjnë nga mosdija, kështu që as unë nuk mundem t’i paragjykoj ata që na kanë paragjykuar./tvklan.al