E Diela Shqiptare (26 Shtator 2021)
Në fillim të shtatëzanisë së dytë Kristiana diagnostikohet me një sëmundje të rëndë dhe mjekët i dhanë vetëm tre javë jetë. Fatmirësisht ajo arriti të shpëtonte por falë ndihmës së kujt?
Mira ka qenë si një ëngjëll mbrojtës për Kristianën duke u vënë në dispozicion të saj për muaj të tërë kur ajo luftonte për jetën. Sot që ajo ka nevojë për kurajo, Kristiana është aty. Mirënjohja është një nga virtytet që e lartëson njeriun.
30 vite më parë Agroni emigroi drejt Italisë për të krijuar jetën e munguar në Shqipëri e për të shijuar lirinë që të falte ai vend. Ai i arriti të dyja por shoqëria e keqe e drejtoi në botën e errët të drogës dhe alkoolit. Kur preku fundin, aty filloi pika e kthesës që mrekullisht e solli këtu ku është. Për kë është mesazhi i tij sot?
Jemi në javën e tretë të rubrikës “Mam, po ti!?”. Kemi tashmë 6 konkurrentë të cilët janë kualifikuar për në fazën e dytë të kësaj rubrike. Zbulimi i zërave të bukur, muzikë, emocione, lot, votimet e mamave na kanë shoqëruar në këto javë dhe kështu do të vijojmë deri në fund të “Mam, po ti!?” 5 konkurrentë të tjerë do të prezantohen sot bashkë me mamatë e tyre. Nga shorteu i hedhur për të përcaktuar rradhën e konkurrentëve tashmë jeni njohur me ta dhe janë: Almejda, Klaudja, Greta, Mario dhe Anjeza. Ndërsa mamat: Suada, Flutura, Elmie, Mirela dhe Yllka. Muzikë dhe Pikë
Vilma ka trashëguar një pjesë të një prone nga babai i saj. Po ashtu edhe motrat e vëllezërit e tjerë kanë pjesët e tyre. Nëpërmjet një prokure Vilma ka autorizuar bashkëshortin e saj për t’u marrë me procedurat e regjistrimit por kjo ka sjellë një furtunë “sherri” me familjarët e saj. Motra e madhe Fetija është e mendimit që atë prokurë t’a ketë vetëm vëllai i tyre. Edhe kjo mundësi nuk është pranuar sepse vëllezër e motra nuk kanë besim tek njëri – tjetri. Nga këto konflikte Vilma rrezikon të ndahet edhe nga bashkëshorti. Ajo duhet të merret vesh me motrën e madhe e me familjarët e tjerë në mënyrë që të rregullojë dhe marrdhëniet me të shoqin. A do e arrijë këtë gjë nga kjo seancë ndërmjetësimi?
Erdhi momenti i game show-t “Të Panjohurit”, formatin, ku mundësia për të fituar është jo pak, por 20 mijë euro. 8 të panjohur dhe një i afërm misterioz janë protagonistë të kësaj loje zbavitëse. Konkurrentja jonë sot është Lueda Goxhi, e cila ka mbaruar studimet per mjekësi dhe ka punuar në farmaceutikë dhe kirurgji plastike. Sa identitete do të arrijë të zbulojë Lueda dhe sa euro do të mund të sigurojë?