Skeda e vrasësit të policit/ Aldi Rama detyroi të dashurën të konsumonte kanabis dhe kreu marrëdhënie me të
Aldi Rama, 21-vjeçari i cili vrau sot policin Saimir Hoxha 44 vjeç në Ishull Lezhë, është person me precedent të mëparshëm penal.
Gazetari Spartak Koka, i ftuar në studion e emisionit Opinion në Tv Klan, zbuloi edhe skedën e Aldi Ramës, i cili në vitin 2018 kur ishte 18 vjeç i kishte vjedhur telefonin të dashurës së tij, e kishte shantazhuar, e kishte detyruar të konsumonte lëndë narkotike dhe më pas kishte kryer marrëdhënie seksuale me të në prani të dy shokëve të tij.
Gjykata e Lezhës e dënoi me 3.4 vite burgim Aldi Ramën dhe më pas ndryshoi vendimin në shërbim prove kur i kishin mbetur më shumë se 2 vite burgim.
“Është një vendim i Gjykatës së Lezhës, kur në 2018, Aldi Rama i ka vjedhur, grabitur të dashurës së tij A.S. telefonin iPhone 7 dhe është larguar dhe të nesërmen i ka thënë që dhe të vish ta marrësh te shtëpia ku banonte te gjyshi, i ka thënë duhet të më japësh 50 Euro. Sapo ka vajtur vajza e ka goditur, e ka futur me zor në taksi bashkë me 2 shokë dhe e ka çuar në periferi të Lezhës në një banesë. E ka detyruar të konsumojë kanabis sativa dhe e ka detyruar të kryejë marrëdhënie seksuale kundër dëshirës së saj dhe e ka shantazhuar se do t’i publikonte fotot në rrjetet sociale. Në shtëpinë ku banonte me gjyshin pranë sobës së druve policia konstatoi një qese me 14 gram kanabis. Gjykata e ka dënuar vetëm për vjedhje dhe për kultivim të lëndëve narkotike me 3.4 vite burg. Është pezulluar ekzekutimi i dënimit për pjesën e mbetur dhe e ka vendosur në shërbim prove”, tha gazetari Spartak Koka. /tvklan.al