Arrihet marrëveshja për targat Kosovë-Serbi
Letra ngjitëse për makinat që kalojnë kufirin nga të dy palët
Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka konfirmuar se është arritur një marrëveshje për targat mes dyja palëve.
“Ne kemi arritur një marrëveshje! Pas dy ditëve negociata intensive, një marrëveshje për deeskalim dhe rrugën para është arritur. Dua të falenderoj Besnik Bislimin e Petar Petkoviqin për gatishmërinë për të negociuar dhe për t’u pajtuar për të mirën e njerëzve”, ka shkruar Lajçak në Twitter.
Sipas marrëveshjes të arritur në Bruksel, forcat e njësisë speciale të Policisë së Kosovës do të zëvendësohen me trupat e KFOR-it më 2 tetor dhe në të njëjtën kohë pritet edhe heqja e barrikadave. E gjithë procedura pritet të nis në orën 08:00 dhe të përfundojë deri në orën 16:00.
Nga e hëna hyn në fuqi regjimi i letrave ngjitëse me të cilat do të mbulohen elementet shtetërore në targat e veturave të Kosovës dhe Serbisë.
Sipas kësaj, pronarët e veturave nuk do të jenë të detyruar të marrin targa të përkohshme kur hyjnë, përkatësisht në Kosovë e Serbi, por do të detyrohen që me letër ngjitëse të mbulojnë elementet shtetërore në targa. Do të caktohet një grup punues për të gjetur zgjidhje të përhershme rreth targave. Takimi i radhës për këtë çështje do të mbahet në Bruksel më datë 21 Tetor.
Ka 10 ditë që janë barrikaduar rrugët që të shpiejnë për pikat kufitare kufitare Jarinjë dhe Bërrnjak nga serbët lokal pas vendimit të qeverisë për masa reciprociteti ndaj targave serbe ndërsa atje po qëndron edhe njësia speciale e Kosovës.
Tv Klan