Shefi i Biontech: Vaksinës mund t’i duhet formulë e re


Shefi i Biontech: Vaksinës mund t’i duhet formulë e re

19:40 04/10/2021

Ugur Sahin: Mutacionet në virus zvogëlojnë përgjigjen imune të trupit

Shefi ekzekutiv i firmës bioteknologjike gjermane BioNTech, e cila ka krijuar vaksinën e parë kundër koronavirusit së bashku me kompaninë farmaceutike amerikane Pfizer, tha se deri në mes të vitit 2022 mund të duhet një formulë e re për t’u mbrojtur kundër mutacioneve të ardhshme të virusit.

Në një intervistë për “Financial Times” Ugur Sahin u shpreh se me kalimin e kohës mutacionet në virus e zvogëlojnë përgjigjen imune të trupit.

Sipas tij, këtë vit, nuk është e nevojshme vaksina e re, por vitin e ardhshëm mund të gjendemi përballë një situate të re. Sahin tha se varianti Delta i koronavirusit – dominues në pjesën më të madhe të botës – është më ngjitës, por jo thelbësisht i ndryshëm për t’i bërë vaksinat aktuale jo efektive. “Por”, shtoi ai, “derisa virusi vazhdon të pësojë mutacione, mund të dobësojë efektivitetin e vaksinave”.

Sahin ka thënë më herët se ajo mund të ndryshohet shpejt, për t’iu përgjigjur varianteve të reja të virusit. Sipas shifrave të Universitetit Johns Hopkins në SHBA, koronavirusi ka prekur mbi 234 milionë njerëz në të gjithë botën ndërsa janë shpërndarë miliarda vaksina.

Klan News






Të ngjashme