Zbulohet shkaku i bllokimit të Facebook
Një gabim në sistemin qëndror të koordinimit në publikimin e të dhënave u bë shkak për bllokimin për gati 6 orë prej pasdites së të hënës të rrjeteve sociale Facebook, Instagram e Whatsapp.
Të paktën kështu thonë drejtuesit e grupit më të madh të mediave sociale në botë, të cilët hodhën poshtë zërat që qarkulluan se serverat e tyre mund të kenë rënë pre e ndonjë sulmi hakerash.
Megjithatë bëhet fjalë për difektin më të madh dhe më të gjatë të njohur deri më tani dhe kjo sipas analistëve, ngre pikëpyetje për sigurinë e të dhënave që përdoruesit ua besojnë këtyre rrjeteve.
Themeluesi i Facebook-ut Mark Zuckerberg u kërkoi ndjesë përdoruesve për ndërprerjen që ndikoi tek miliarda persona që i përdorin këto rrjete sociale duke nisur nga komunikimi në distancë me personat e tyre të dashur, deri tek ata që e shfrytëzojnë për t’u vetëpunësuar.
7 orët e ndërprerjes i shkaktuan humbje 6 miliardë Dollarëshe Facebookut në bursa. Agjencia e lajmeve Bloomberg shkruan se humbja që ndërprerja i shkaktoi ekonomisë globale ishte 160 milionë Dollarë për çdo orë.
Bllokimi vjen një ditë pasi ish-punonjësja e këtij rrjeti social Frances Haugen denoncoi disa shkelje të rënda të Facebook-ut në dëm të përdoruesve. Ajo është thirrur të dëshmojë para Kongresit për këto akuza të hedhura në media.
Tv Klan