Pendarovski, vizitë historike në Greqi


Pendarovski, vizitë historike në Greqi

16:19 05/10/2021

“Zbatim i plotë i marrëveshjes së Prespës”

Presidenti Stevo Pendarovski e ka vlerësuar si historike dhe të rëndësishme vizitën zyrtare në Greqinë fqinje, e para pas shpalljes së pavarësisë së vendit. Ai në Athinë u prit me nderime të larta shtetërore e ushtarake, kurse gjatë një takimi me Presidenten greke Katerina Sakelaropulu, premtoi zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Prespës.

“Si njeri zakonisht nuk jam i prirur për patetikë politike, por ky takim i joni gjithsesi se ka dimensione historike. Të keni takim të parë të nivelit më të lartë politik pas 30 viteve, në mes vendeve që janë fqinjë të drejtpërdrejtë është e rëndësishme. Ne edhe më parë kemi pasur bashkëpunim të shkëlqyeshëm, por mendoj se nga viti 2018 e këndej e kemi vendosur atë kornizë juridike dhe politike, e quajtur Marrëveshja e Prespës.”

Pikërisht Marrëveshja e Prespës dhe zbatimi i saj i plotë ka qenë në fokusin edhe të Presidentes Sakeralopulu, e cila shtoi se prej kësaj varet thellimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe perspektiva evropiane e Maqedonisë së Veriut.

 “Pranojmë se janë bërë hapa pozitivë nga Maqedonia e Veriut, por ende shumë çështje presin zbatim. Zgjidhja e këtyre çështjeve do të mundësojë thellim të përgjithshëm të bashkëpunimit tonë.”

Pendarovski u takua edhe me Kryeministrin Kirjakos Micotakis, ku është konfirmuar mbështetja e Greqisë për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut.

Më shumë se dy dekada Greqia e bllokoi përparimin e Maqedonisë së Veriut drejt NATO-s dhe BE-së, duke e kushtëzuar me ndryshimin e emrit të atëhershëm kushtetues, me parashtesën “e veriut” dhe garanci se historia antike i takon ekskluzivisht kulturës helene. Marrëveshja e Prespës e theu akullin, megjithatë shumë pika mbetën të parealizuara, në mesin e të cilave ndryshimi i përbashkët i librave të historisë, zgjidhja për markat tregtare dhe riemërimi i shenjave dhe tabelave në të dyja anët e kufirit.

Klan Macedonia






Të ngjashme