BE nuk siguron datë për negociatat
Deklarata e përbashkët nuk u referohet si vende kandidate por partnere
Nga Brukseli vijnë lajme negative për politikën e zgjerimit. Një ditë para samitit të shumëpritur midis udhëheqësve të Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor, mësohet se nuk do të premtohet një datë për fillimin e bisedimeve të pranimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut e nga ana tjetër nuk do të mbështetet rruga e sigurt e anëtarësimit e vendeve kandidate.
Lajme të tilla qarkullon edhe më herët, por ato u mohuan nga ana e Komisionit Europian.
Në draft deklaratën e samitit të 6 Tetor që zhvillohet në Brdo, vendet e Ballkanit Perëndimor nuk referohen më si vende kandidate, por thjeshtë si partnere të Bashkimit Europian. Deklarata thekson gjithashtu se perspektiva evropiane e rajonit është ende pjesë e axhendës por nuk përmendet ndonjë datë.
“BE-ja konfirmon zotimin e saj për procesin e zgjerimit, të bazuara mbi reformat e besueshme të partnerëve, kushtëzimin e drejtë dhe rigoroz dhe parimin e meritës”, thuhet në deklaratë.
Takimi midis udhëheqësve të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor duket se do të jetë vetëm një formalitet, pasi çështjen e zgjerimit, kreu i Këshillit të BE-së Charles Michel as e përmendi fare në deklaratën e tij para darës jo formale.
Shqipëria do të përfaqësohet nga kryeministri Edi Rama dhe kryenegociatori Zef Mazi.
Divergjencat kryesore në prag të samitit lidhen me propozimin konkret të Sllovenisë për përcaktimin e vitit 2030 si afat fundor të anëtarësimit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në bllok.
Është e paqartë se si do të reagojnë udhëheqësit evropianë ndaj një propozimi të tillë, pasi shtete si Franca, Holanda apo Danimarka kanë rezerva për anëtarësimin e parakohshëm të Rumanisë dhe Bullgarisë në vitin 2007 dhe i ngadalësuan reformat pas anëtarësimit.
Një çështje delikate gjatë samitit do të jetë puna për të bindur Bullgarinë që të heqë veton ndaj Shkupit, veto që tani po mban peng edhe Tiranën për hapjen e negociatave. Presidenti amerikan Joe Biden dhe administrata amerikane i kanë bërë presion së fundi presidentit bullgar Rumen Radev, presion të cilit iu bashkua edhe presidenti gjerman Statmajer.
Samiti në Slloveni do të diskutojë gjithashtu përmirësimin e bashkëpunimit dhe rimëkëmbjen sociol-ekonomike të rajonit nga pandemia e Covid-19, si dhe zbatimin e Planit Ekonomik dhe të Investimeve me vlerë 30 miliardë Euro, si ndihmë financiare për rajonin.
BE gjithashtu do të sigurojë grante prej nëntë miliardë Eurosh përmes 10 projekteve kryesore të investimeve.
Klan News