Stop denoncon korrupsionin në burgun e Reçit
Psikologët, nga 10 deri në 20 mijë lekë për shërbime të ndryshme
Emisioni investigativ Stop në Tv Klan ka denoncuar një tjetër rast korrupsioni në institucionet shtetërore. Kësaj here në rrjetën e Stop kanë rënë dy punonjës socialë që shërbejnë në burgun e Reçit, të cilët u merrnin nga 100 deri në 200 mijë lekë të burgosurve dhe familjarëve të tyre për shërbime të ndryshme në këtë institucion të vuajtjes së dënimit.
Bëhet fjalë për Mario Latoshin dhe Arnaldo Hoxhën, me funksion specialist-psikolog në sektorin e çështjeve shoqërore pranë këtij burgu, i pari përgjegjës për kontaktet e të burgosurve me familjarët, ndërsa i dyti vlerësues i sjelljes së të burgosurve.
Pas denoncimit të bashkëshortes së të burgosurit Martin Tushe, kamera e fshehtë e emisionit stop arriti të faktojë aktin korruptiv të Mario Latoshit, i cili për t’i siguruar mundësinë Tushes që të fliste në telefon me familjarët e tij merr prej tyre 10 mijë lekë të reja.
Gjithashtu pjesë e kësaj skeme ishte edhe Arnaldo Hoxha, i cili për të bërë një vlerësim pozitiv për sjelljen e Tushes merr prej një familjari të tij 20 mijë lekë të reja.
Pas denoncimit nga stop reagoi edhe Ministria e Drejtësisë, e cila bëri të ditur se me urdhër të ministrit Ulsi Manja të dy specialistët e përmendur në këtë skandal janë pezulluar nga puna, ndërsa në drejtim të Burgut të Reçit janë nisur grupet e inspektimit dhe ato të SHKBS për zbardhjen e këtij rasti.
Tv Klan