Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Slloveni, merr pjesë dhe Rama
Samiti mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, po zhvillon sot punimet e ditës së dytë. Në këtë samit janë bërë bashkë liderët e BE dhe udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Kryeministri i Sllovenisë Janez Jansa është mikpritësi i takimit dhe samiti do të kryesohet nga Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Po ashtu në takim është dhe përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell dhe komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, si dhe lider të ndryshëm nga vendet e BE.
Drejt Sllovenisë ka udhëtuar dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Kosovës, Albin Kurti. Në këtë samit pritet që të miratohet një deklaratë e përbashkët mes BE dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Presidentja e KE: Ballkani Perëndimor i takon Bashkimit Evropian
Nga samiti në Slloveni, Presidentja e Komisionit Evropian, Usrula von der Leyen, është shprehur se duhet menduar seriozisht për zgjerimin e Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në një prononcim të shkurtër për mediat, von der Leyen tha se “Bashkimi Evropian përfiton nga procesi i zgjerimit dhe kjo është pjesa më e rëndësishme”.
“Ne duam të dërgojmë një mesazh të vetëm dhe të qartë që Ballkani Perëndimor i takon Bashkimit Evropian, ne i duam ata në BE dhe familjen tonë evropiane. Ne ndajmë të njëjtën histori dhe të njëjtat vlera”, u shpreh Presidentja e KE.
Më tej tha se 6 vendet e Ballkanit Perëndimor kanë bërë shumë reforma dhe se duhet ende punë në sundimin e ligjit dhe lirinë e mediave.
Mesazhe pro integrimit dha dhe komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhyei, i cili u shpreh se BE duhet të mbajë fjalën që ka thënë.
Në prani të Merkel dhe Macron, Kurti do të takohet me Vuçiçin në Slloveni
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, konfirmoi sot se do të takohet me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në kuadër të samitit të liderëve të Bashkimit Evropian me udhëheqësit politikë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili po mbahet sot në Brdo të Sllovenisë.
Sipas asaj që raporton Euronews Serbia, takimi mes Kurtit dhe Vuçiç do të zhvillohet në prani të Presidentit të Francës, Emanuel Macron dhe Kancelares gjermane, Angela Merkel.
Takimi mes tyre do të zhvillohet në pushimin mes dy sesioneve të samitit. Nuk dihet ende se kush e ka negociuar këtë takim dhe çfarë do të diskutohet konkretisht./tvklan.al