Gledis Nano emërohet Drejtor i Përgjithshëm i Policisë
Vlerësimi nga ambasada amerikane për operacionet e anti-terrorit
Gledis Nano është emëruar Drejtor i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Vendimi u mor në mbledhjen e qeverisë këtë të mërkurë për efektivin që deri dje ishte në krye të Drejtorisë së anti-Terrorit. Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi nuk u kursye në vlerësimet për Ardi Veliun dhe për Gledis Nanon.
“Veliu largohet nga kjo detyrë me rezultate shumë të larta, duke e çuar performancën e Policisë së Shtetit në nivele si asnjëherë tjetër në këto 30 vite. Zoti Nano është një oficer karriere dhe së fundmi ka shërbyer për një kohë të gjatë në krye të drejtorisë së anti-Terrorit. Ai ka një sfidë për ta çuar përpara këtë performancë të shkëlqyer të Policisë së Shtetit në këto vite”.
Prej 17 vitesh, Gledis Nano është pjesë e Policisë së Shtetit. Në muajin Gusht të këtij viti ai mori një certifikatë vlerësimi nga ambasadorja amerikane Yuri Kim, për bashkëpunimin e suksesshëm me amerikanët dhe ushtrimit e detyrës në krye të operacioneve të anti-Terrorit.
Nano ra në sy për publikun për rolin e tij aktiv në riatdhesimin e shqiptarëve nga kampet në Siri. Ai shoqëroi Kryeministrin Rama dhe ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi gjatë udhëtimit për në Liban ku u tërhoqën disa nga gratë dhe fëmijët shqiptarë që qëndrojnë në kampin Al-Hol.
Nano ka qenë pjesë e operacioneve për dëbimin e diplomatëve iranianë dhe rusë nga Shqipëria në vitet e fundit dhe gjithashtu ka pasur bashkëpunim të ngushtë me ambasadën amerikane në survejimin e elementëve ekstremistë në vendin tonë.
Tv Klan