“Çelësi i Tiranës” për zv/Kryeministrin e Malit të Zi


“Çelësi i Tiranës” për zv/Kryeministrin e Malit të Zi

12:46 06/10/2021

Veliaj: Bashkëpunim “pa kufij” mes të rinjve

Nga sot edhe zv/Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviç do ta ketë çelësin simbolik të Tiranës. Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ia dhuroi gjatë takimit në zyrën e tij.

“Jemi shumë krenarë për ty dhe punën tënde. Përtej krenarisë që vjen prej trashëgimisë së përbashkët shqiptare, ke pasur urtësinë, inteligjencën, kurajën që të organizosh një strukturë multi-etnike me mendje të hapur, me ide të hapura, për të mbajtur një vend të vogël, që është një fqinj shumë i çmuar për ne. Njeriu nuk i zgjedh dot fqinjët, por nëse do zgjidhnim fqinj njerëz progresistë, me nevojën për të qenë të orientuar drejt perëndimit, nuk do ishte e mundur pa kontributin tënd, e sidomos vitet e fundit kur roli yt ka qenë vendimtar”.

Abazoviç tha se Tirana është bërë për t’u marrë shembull për zhvillimin e jashtëzakonshëm që ka pësuar vitet e fundit.

“Është nder i madh të marr ‘Çelësin e Tiranës’ nga miku im Erion Veliaj. Me Kryeministrin Rama jemi dakordësuar për të ndërtuar një urë për zvogëlimin e distancës mes dy shteteve, që njerëzit të kalojnë për pesë minuta nga Mali i Zi në Shqipëri dhe anasjelltas. Jam i bindur se kur të ndërtohet ura, ajo nuk ka për të pasur kufij formalë që tani ekzistojnë”.

Më tej, Veliaj vuri theksin te forcimi i bashkëpunimit mes dy vendeve duke u shprehur se të rinjtë, sidomos në 2022 kur Tirana do jetë “Kryeqyteti Europian i Rinisë”, duhet të kapërcejnë kufijtë dhe të zhvillojnë projekte dhe biznese me njëri-tjetrin.

Tv Klan






Të ngjashme