Ulen infektimet me Covid në Maqedoninë e Veriut
44% e qytetarëve mbi 18 vjeç kanë marrë dy doza vaksine
Në Maqedoninë e Veriut, në periudhën nga 27 Shtatori deri më 3 Tetor për 9% është ulur numri i infektimeve të reja me COVID-19, krahasuar me një javë më parë – tregon analiza e ISHP-së.
Gjatë javës së kaluar, 39 qytetarë që e kanë kaluar virusin, sërish janë infektuar që është një rritje prej 21.9%. Sipas të dhënave zyrtare, nga fillimi I epidemisë 591 persona janë riinfektuar me COVID-19, kurse pesë prej tyre kanë ndërruar jetë.
Në këtë periudhë 85 persona nga 24 qytete kanë ndërruar jetë si pasojë e komplikimeve nga COVID-19. 73 prej tyre janë të moshës mbi 60 vjeç.
Nëpër Covid-qendrat dhe në Klinikat Infektive në Shkup dhe qytete tjera të vendit janë të hospitalizuar 600 pacientë, 382 janë me oksigjeno-terapi, kurse 23 në ventilim invaziv/joinvaziv mekanik.
Deri më tani janë evidentuar 6.740 viktima, mes tyre shtatë gra shtatzëna dhe 31 punonjës të shëndetësisë.
Analiza e ISHP-së ka treguar se që nga fillimi I epidemisë, tek 74.2% e viktimave janë regjistruar komorbiditete. Bëhet fjalë për sëmundje kardiovaskulare, diabet dhe sëmundje të mushkërive
Sipas të dhënave të fundit zyrtare, 792.174 qytetarë janë vaksinuar të paktën me një dozë, që përbën 47.4% të qytetarëve mbi 18 vjeç. Me dy doza janë vaksinuar mbi 740 mijë qytetarë apo 44%, kurse dozën e tretë e kanë marrë 499 qytetarë.
Klan Macedonia