Foltorja, Sali Berisha takim me demokratët në Gjirokastër: Basha votofob!


Foltorja, Sali Berisha takim me demokratët në Gjirokastër: Basha votofob!

18:16 06/10/2021

Turi i takimeve i ish-Kryeministrit Sali Berisha u ndal këtë të mërkurë në Gjirokastër. “Foltorja: Për një Parti Demokratike më të bashkuar, më të fortë, më të hapur”, u zhvillua në sallën e Hotel Olimpik të qytetit të Gjirokastrës.

Më herët Berisha ka zhvilluar takime me demokratët në Tiranë, Fier, Vlorë, Durrës dhe në Shkodër. Ish-kreu i PD me këtë nismë synon largimin e Bashës nga drejtimi i partisë. Kjo lëvizje e tij vjen pasi kreu i PD e përjashtoi nga Grupi Parlamentar pas shpalljes ‘non grata’ nga SHBA.

Lideri historik i PD bën thirrje për bashkim të demokratëve

Është pritur me ovacione edhe në Gjirokastër, lideri historik i demokratëve Sali Berisha që në foltoren e kësaj të mërkure u bëri thirrje demokratëve të bashkohen tek vota. Berisha e quajti Lulzim Bashën një “votofob”, person që ka frikë nga vota dhe siç u shpreh ai është marrë peng nga Edi Rama.

Berisha tha se vinte në Gjirokastër si një njeri i lië, në një kohë që Basha kishte udhëtuar drejt Ljubjanës si peng i Ramës. Në takimin me mbështetësit në Gjirokastër, Berisha komentoi edhe paralajmërimin e kryeministrit Rama për rritjen e çmimeve. Sipas Berishës, Shqipëria nuk prekej nga rritja e çmimit të gazit, ndërsa mungesa e energjisë elektrike vinte si pasojë e gabimeve në menaxhimin e Kaskadës së Drinit.

Berisha propozon rregullin e ri në PD: Për t’u bërë kryeministër duhet të votohesh në primare

Sali Berisha ka deklaruar nga “Foltorja” në Gjirokastër se kryetari i partisë nëse humben zgjedhjet duhet të japë dorëheqjen. Sipas tij, ai mund të futet në zgjedhje, por vetëm nëse ka dhënë dorëhqjen.

Ish-kryeministri deklaroi se demokratët synojnë që të vendosin edhe një rregull tjetër, që kandidati për kryeministër të votohet njëherë në zgjedhje brenda partisë. Ai mori shembull kryeministrin e parë të nxjerrë nga PD-ja, ku tha se u përzgjodh nga një votim mes dy kandidaturave në Këshillin Kombëtar.

“Ky një gjë është e sigurtë, mbyll derën e fitores, por derën e fitores nuk na e mbyll dot ne. Kryetari po humbi zgjedhjet lokale do hapë dorëheqjen, të hyjë në garë po të dojë, do ketë të drejtë të hyjë në garë, por i dorëhequr. Vendimi i tjetër që ka futur në statut, kryetarëve të degëve u kërkon që po të kandidojnë si deputet të japin dorëheqjen, kurse për kryetarin e madh nuk ekziston dorëheqja. Do ia vendosim ne ato, por do të vendosim edhe rregull tjetër. Edhe kryeministri për t’u bërë kryeministër do të votohet në primare njëherë. A e dini ju që kjo parti kryeministrin e parë në historinë e saj e ka përzgjedhë në votim me dy kandidatura në votim në Këshillin Kombëtar. Tani do ta bëjmë më demokratike partinë. U them shqiptarëve mos u ndikoni nga veprimet e turpshme, se një njeri që thotë kam studiuar në Europë dhe shkelmon votën është jashtë çdo imagjinate të një njeriu. Këtë parti do ta bëjmë ashtu siç janë idealet tuaja, shtëpi të lirisë për shqiptarët”, tha Berisha.

Berisha: Basha, një besëprerë. Shumë gjëra që ia kam thënë në privat janë të dokumentuara

Ish-kryeministri Sali Berisha u ka kërkuar falje demokratëve në Gjirokastër për mbështetjen që i ka dhënë Lulzim Bashën. Berisha tha për kreun e PD-së se është besëprerë. Berisha tha se privatisht i ka thënë Bashës çdo kritikë dhe shumë gjëra janë të dokumentuara. Megjithatë ai u shpreh se publikisht e ka mbrojtur me qëllimin që ta çonte PD-në drejt fitores.

“Ju falenderoj shumë për praninë dhe ndërhyrjen dhe ju dhe të gjithë demokratëve ju kërkoj falje dhe ndjesë për mbështetjen që i kam dhënë një njeriu, i cili e mbylli karrierën e tij politike si një besëprerë. Por nuk është kjo ajo që unë kërkoj vlerësim dhe gjykimin e anëtarësisë. Unë kërkoj ndjesë se ndonëse privatisht i kam thënë çdo gjë që ti mund të kesh menduar me veten tënde, çdo gjë. Fatmirësisht shumë gjëra janë të dokumentuara nga këto që them, por publikisht e kam mbrojtur atë. Jam përpjekur që ai të na çojë në fitore. Jam përpjekur që PD të shkojë drejt fitores duke i vënë në dukje gjithçka që nga momenti i kërkesës sime për të dhënë dorëheqjen në vitin 2017 kur PD mori rezultatet më të turpshme që kishte marrë ndonjëherë”, tha Berisha.

Berisha në Gjirokastër: Rama e Basha shkojnë si pengu me pengmarrësin, unë vij i lirë tek ju

Turi i takimeve i ish-Kryeministrit Sali Berisha është ndalur ditën e sotme në Gjirokastër, ku ësht shprehur tepër i lumtur. Nga foltorja e tij ai është shprehur gjithashtu se nuk është kriza e naftës dhe e gazit në këtë vend, por është Edi Rama.

“Kjo është një krizë e bërë vetë, e krijuar vetë, nuk është krizë e gazit në Shqipëri, është krizë e Edi Ramës, e ministres së tij të papërgjegjshme të cilët boshatisën kaskadën dhe dalin mirë e bukur dhe ju thonë juve do na përpijë kriza. Çfarë pune kemi ne me rritjen e çmimit të naftës në një kohë kur ne, nafta në Shqipëri është cent për cent baras me Zvicrën 1.45 Euro me 1.45 Euro. Po e dini ju sa është rroga në Zvicër? Të ardhurat vjetore për frymë në Zvicër janë 95 mijë Dollarë, janë 5200 Dollarë në Shqipëri. Marrin 18 herë më shumë se ne dhe paguajnë naftën njëlloj me ne.

Po ç’punë ka rritja e naftës këtu? Dilte dje a pardje dhe thoshte nuk jam unë diktator të kontrolloj çmimet. Je me oligarkët ti. Ti je një njeri i pamëshirshëm që të peshojnë në para sa herë u teket sepse çdo vend ka entet rregullatore.

Lajmi tjetër ishte që korrupsioni dhe krimi i organizuar Shqipërinë e mbajnë larg BE-së, të gjitha këto në një kohë kur ai merr mandatin e tretë dhe opozita shqiptare tregoi paaftësitë e saj më të mëdha në histori, në përballje me të.

Duke ardhur në Gjirokastër në mëngjes, shikoj titujt e gazetave, Rama-Basha në Lubjanë, Berisha në Gjirokastër. U ndjeva 1 mijë herë i lehtësuar, ata shkojnë si pengu me pengmarrësin, unë vij si njeri i lirë tek ju. Kënaqësia ime ishte e madhe sot”, është shprehur Berisha.

Berisha thirrje delegatëve: Firmosni për mbledhjen e Kuvendit, por votoni si të doni

Gjatë “Foltores” që zhvilloi me demokratët e Gjirokastrës, Sali Berisha u bëri thirrje të gjithë delegatëve në Gjirokastër, Përmet, Tepelenë e Memaliaj që të firmosin për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar.

Gjatë fjalës së tij, Berisha tha: Ftoj të gjithë delegatët e Kuvendit Kombëtar të PD-së të degës Gjirokastër, Përmet, Tepelenë, Memaliaj, pa përjashtim, të firmosni për mbledhjen e Kuvendit. Si të doni votoni në Kuvend, por firma juaj është ndërgjegjja juaj për një parti demokratike, për një parti që respekton votën e lirë. Shikoni mediat se ç’ndodh. Peng kryetarin e ka marrë në patronazh tani qeveria me propagandën e saj. Ka të tjerë që përpiqen tu mbushin mendjen shqiptarëve se nuk ka rëndësi procedura, nuk ka rëndësi vota. Këta janë mercenarë. Në këtë pikë ne ndahemi me çdo njeri. Ata për të cilët procedura nuk ka rëndësi, forumet nuk kanë rëndësi, vota nuk ka rëndësi, ata janë mercenarët që nuk i duhen pluralizmit. Ata nuk kanë abc e pluralizmit, por xhepin e tyre. Nuk kemi gjë të përbashkët me ta. Me të tjerët na bashkon vota e lirë. Dëshiroj t’ju përshëndes përzemërsisht t’u falenderoj për këtë pritje të jashtëzakonshme dhe t’ju siguroj se me përpjekje të përbashkëta do të dalim nga kjo betejë më të bashkuar, më të pavarur, më të fortë, më të hapur dhe më të sigurtë se kurrë në fitoren që na pret.

Pse nuk flet Basha për masakrën zgjedhore? Berisha: Ka tmerr dhe frikë nga vota

Ish-Kryeministri Sali Berisha deklaroi nga Gjirokastra, aty ku ka vijuar “Foltoren” me demokratët, se Lulzim Basha ka frikë nga vota. Ai u shpreh se demokratët sot janë të vjedhur nga Rama, por të tradhtuar nga Basha. Arsyeja pse kryetari i PD-së nuk flet më për masakrën zgjedhore të 25 Prillit, sipas Berishës, është sepse ka frikë nga vota dhe se do të mbahet mend si një njeri me votofobi të madhe.

“Lulzim Basha në 8 vite e udhëhoqi PD nga disfata në disfatë. Nga dështimi në dështim, kur nuk qe në gjendje kurrë të kurorëzojë me sukses një nismë përveç ligjit të dekriminalizimit, asnjë tjetër. Kur mori vendimet më absurde që mund të ketë marrë kush në histori. Vijmë kur në zgjedhjet e 25 Prillit pas këtij seriali dështimesh, ai deklaroi se kjo ishte një masakër zgjedhore. Unë isha i bindur që Edi Rama plaçkiti vota më shumë se kurrë në këto zgjedhje, por ne nuk i fituam zgjedhjet. Këtë e kisha bindje të plotë. Detyrë lindte që ne tani të bënim gjithçka që ta vinim në sanksione Edi Ramën për atë që bëri. Kryetari në vend që të merrej me mbrojtjen e votës suaj, me mundin tuaj, të djersës suaj u kthye dhe po merret me karrigen e tij. I harroi të gjitha. Ne vijmë sot këtu jo vetëm si opozitë e vjedhur dhe e plaçkitur nga Edi Rama, por vijmë si opozitë e tradhtuar nga Basha, e tradhtuar vota dhe mundi juaj sepse ai nuk flet më as për masakër, as për votë, as për asgjë. Po pse kjo? Sepse ai ka tmerr nga vota, ai në historinë e Shqipërisë do të mbahet mend si njeriu me votofobinë më të madhe, me frikën nga vota më të lartë se kushdo tjetër. Por nga ky moment nuk ke të bësh më me ne. Ne dhe njerëzit e votës së lirë. Ne i besojmë votës së lirë”, tha Berisha.

Berisha: Nuk ka krizë gazi në Shqipëri, kjo është kriza e Edi Ramës

Ish-kryeministri Sali Berisha ka vijuar turin e takimeve të tij me demokratët në qytetin e Gjirokastrës. Lideri historik i demokratëve u ndal dhe foli për krizën energjitike të paralajmëruar nga Kryeministri Edi Rama.

Ai u shpreh se çmimi i energjisë sot është më e lartë për shkak se është keqpërdorur kaskada e Drinit. Sipas Berishës, në Shqipëri nuk ka krizë gazi, por ka një krizë të bërë vetë nga Rama dhe ministrja Belinda Balluku.

“Cila krizë? Shikoni çfarë spekulanti i pashpirtë që është. Është rritur çmimi i gazit? Po më thoni çfarë gazifikmi kemi ne në Shqipëri? Sa energji elektrike prodhojmë nga gazi ne? Zero. Po në qoftë se kriza e gazit,një vend i cili 25% të energjisë e ka nga gazi, e si do na kapë ne që 80% të energjisë e kemi nga ujërat tona. Ky vetëm bën thirrje që lëvizni çmimet, rrisni çmimet se po vjen kriza e gazit, ku këtu gazi përdoret për gatim dhe ngrohje tek tuk. Pse qenka? Pra është kriza që do të induktojë me çdo kusht në çdo familje shqiptare. Ky vend, sot iu them, rezervën më të çmuar ka Kaskadën e Drinit. Ajo është rezervë strategjike, për specifikat e këtij viti, ajo ishte plot e përplot në 296 metra. Po, kaskada ishte plot dhe si rezervë strategjike kaskada ruhet për vjeshtë. Verës gjen më lehtë energji dhe blen. Çfarë ka bërë zotëria? Ka zbrasurs kaskadën, ka shitur gjatë Gushtit energji masivisht. Janë prodhuar energji 7.2 terravat. Janë kosnmuar 6, 1.2 janë eksportuar dhe tani kaskada është në vdekje klinike. Kjo është arsyeja e krizës. Në vend që të blinte energji me çmim të lirë, sot çmimi i energjisë është 3 herë më i lartë seç ishte në Gusht. Kjo është krizë e bërë vetë, është e bërë vetë, nuk është krizë e gazit, është krizë e Edi Ramës, e ministres së tij të papërgjegjshme. Çfarë pune kemi ne me rritjen e çmimit të naftës kur nafta në Shqipëri është baraz me Zvicrën”, tha Berisha.

“O Bud Spencer i Shqipërisë, o trim”, qytetari nuk përmbahet përballë Berishës

Gjatë “Foltores” që zhvilloi me demokratët e Gjirokastrës, Sali Berisha dëgjoi dhe mendimet e shumë qytetarëve të cilët shpreheshin krenarë për të dhe i ofruan mbështetjen e tyre maksimale. Një qytetar i Gjirokastrës ishte tepër entuziast për takimin me ish-kryeministrin duke e quajtur atë trim dhe i ka kërkuar që të sigurojë fitoren sa më shpejt.

Qytetari: Mbaj mend kur ne e prisnim atë në Talje të Krasit, sa na shikonte ai thoshte ndale makinën se kanë dalë tigrat e Tepelenës dhe të Jugut dhe ti mirëserdhe në jug të Shqipërisë. O Sali Ramë Berisha, o Bud Spenceri i Shqipërisë, o trim, ne duam vetëm një gjë në këto momente, të na thuash se shumë shpejt do fitojmë sepse të gjithë këta që kanë ardhur këtu kërkojnë nga ty fitore, të përqafoj o tropojani gjigand.

Sali Berisha: Unë jam i bindur dhe i sigurt në mënyrë absolute se ne do fitojmë dhe bindja ime vjen tek besimi i madh dhe i pafuqishëm që unë kam tek ju,  tek përkushtimi, trimëria dhe idealet tuaja. Në ’91-ishin patëm një regjim diktatorial e përmbysëm. Në 2021 kemi përpara një regjim që bazohet mbi krimin, korrupsionin, një kakistrokaci të vërtetë, do ta përmbysim. /tvklan.al






Të ngjashme