Rama kritika BE-së për procesin e integrimit


Rama kritika BE-së për procesin e integrimit

18:18 06/10/2021

“Edhe sa duhet të presë Shqipëria për ndezjen e dritës jeshile” 

Pakënaqësinë e tij për zvarritjen e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë dhe gjithë Ballkanit Perëndimor kryeministri Rama ua ka shprehur liderëve të BE edhe në forumin e Brdos në Slloveni.

Në fjalën e mbajtur e që vetë Rama e ka shpërndarë në rrjetet sociale ju kujton të gjitha sakrificat që kanë bërë këto vende dhe BE vazhdon të përsërisë vetveten për të justifikuar mosanëtarësimin e këtyre vendeve.

“Politika e re e zgjerimit duket sikur i bën jehonë politikës së vjetër të kufizimit. Por, “është ajo që është”, siç do të thoshte zotëruesi i mëparshëm legjendar i Zyrës Ovale. Dhe unë nuk do të bezdis asnjë këtu me liturgjinë e ankesave që të gjithë ju i dini mirë. Përpjekjet e Maqedonisë së Veriut për të larë hesapet me të kaluarën e qepur këmba-këmbës pas saj, në emër të një të ardhmeje të ndritur europiane, nisën rreth 15 vjet më parë me statusin e vendit kandidat. Vendi shkoi aq larg në ato përpjekje, sa ndërroi edhe emrin. Po prapëseprapë nuk mjaftoi për të nisur as dhe një Konferencë Ndërqeveritare në Zoom me BE-në, drejt një procesi integrimi që mund të marrë edhe 18 vjet të tjera, përpara se sa anëtarësimi i plotë në BE të shfaqet si një fund i lumtur i mundshëm (që i bie në total 33 vjet nga marrja e statusit të vendit kandidat ose, me fjalë të tjera, mosha e Jezu Krishtit të gozhduar në kryq)”.

Atë që ia tha Presidentit të Bullgarisë, Rama e përsërit dhe ju drejton liderëve të BE një pyetje retorike.

“Sa gjatë duhet të presë ende Shqipëria për ndezjen e dritës jeshile në këtë proces, i cili thuhet se bazohet mbi meritën, por që mesa duket tekefundit vetëm mbi meritën nuk bazohet?”

Po ashtu ju kujton se po përdorin një standard të dyfishtë për liberalizimin e vizave kur vjen fjala te Kosova.

“Meqë ra llafi BE-ja ka liberalizuar vizat për 52 milionë njerëz jashtë hartës së ardhshme të Unionit dhe jo vetëm përpara, po edhe pasi ajo vetë ka deklaruar, publikisht, se Kosova i përmbushi të gjitha kriteret teknike; madje përmbushi edhe një kriter pa lidhje, që iu kërkua shtesë, demarkacionin e kufirit me Malin e Zi”.

Kryeministrit shqiptare nuk i mungon guximi t’ju tregojë krerëve të unionit se çfarë duhet të bëjnë ndërkohë që zvarrisin procesin e zgjerimit. E një nga kërkesat është të njohin Open Balkan.

“BE-ja duhet ta mbështesë plotësisht Ballkanin e Hapur, për të mos lejuar që procesi vizionar i Berlinit të katandiset në hijen e vetvetes, e të kthehet në një tur samitesh të përvitshme nëpër Europë, të cilat përsërisin vetveten, njësoj siç përsërit ky samit atë të 18 viteve më parë, pa sjellë rezutate të reja të prekshme për njerëzit tanë. Ballkani i Hapur reflekton një nivel të ri pjekurie, që vendet e kanë fituar përmes Procesit të Berlinit dhe një vullnet për ta marrë në dorë të ardhmen e përbashkët, pa pritur “takimet me prindër”, si edhe duke shmangur frenimin prej një vetoje këtu e një vetoje atje, nga një vend a një tjetër”.

3 kërkesat e tjera lidhen me një plan mbështetës ekonomik për investimet në rajonin tonë, përfshirjen e të rinjve të tij në mekanizimin integrues të BE, si dhe vlerësimi i ecurisë së vendeve mbi raportet e Komisionit Europian.

Edhe pse thotë se e mbështet plotësisht, Rama s’e kursen ironinë për faktin se deklarata përfundimtare i samitit të Sllovenisë-BE-Ballkani Perëndimore nuk është konsultuar fare me krerët e këtij të fundit.

Tv Klan






Të ngjashme