Pse nuk flet Basha për masakrën zgjedhore? Berisha: Ka tmerr dhe frikë nga vota
Ish-Kryeministri Sali Berisha deklaroi nga Gjirokastra, aty ku ka vijuar “Foltoren” me demokratët, se Lulzim Basha ka frikë nga vota. Ai u shpreh se demokratët sot janë të vjedhur nga Rama, por të tradhtuar nga Basha. Arsyeja pse kryetari i PD-së nuk flet më për masakrën zgjedhore të 25 Prillit, sipas Berishës, është sepse ka frikë nga vota dhe se do të mbahet mend si një njeri me votofobi të madhe.
“Lulzim Basha në 8 vite e udhëhoqi PD nga disfata në disfatë. Nga dështimi në dështim, kur nuk qe në gjendje kurrë të kurorëzojë me sukses një nismë përveç ligjit të dekriminalizimit, asnjë tjetër. Kur mori vendimet më absurde që mund të ketë marrë kush në histori. Vijmë kur në zgjedhjet e 25 Prillit pas këtij seriali dështimesh, ai deklaroi se kjo ishte një masakër zgjedhore. Unë isha i bindur që Edi Rama plaçkiti vota më shumë se kurrë në këto zgjedhje, por ne nuk i fituam zgjedhjet. Këtë e kisha bindje të plotë. Detyrë lindte që ne tani të bënim gjithçka që ta vinim në sanksione Edi Ramën për atë që bëri. Kryetari në vend që të merrej me mbrojtjen e votës suaj, me mundin tuaj, të djersës suaj u kthye dhe po merret me karrigen e tij. I harroi të gjitha. Ne vijmë sot këtu jo vetëm si opozitë e vjedhur dhe e plaçkitur nga Edi Rama, por vijmë si opozitë e tradhtuar nga Basha, e tradhtuar vota dhe mundi juaj sepse ai nuk flet më as për masakër, as për votë, as për asgjë. Po pse kjo? Sepse ai ka tmerr nga vota, ai në historinë e Shqipërisë do të mbahet mend si njeriu me votofobinë më të madhe, me frikën nga vota më të lartë se kushdo tjetër. Por nga ky moment nuk ke të bësh më me ne. Ne dhe njerëzit e votës së lirë. Ne i besojmë votës së lirë”, tha Berisha./tvklan.al