Berisha thirrje delegatëve: Firmosni për mbledhjen e Kuvendit, por votoni si të doni
Gjatë “Foltores” që zhvilloi me demokratët e Gjirokastrës, Sali Berisha u bëri thirrje të gjithë delegatëve në Gjirokastër, Përmet, Tepelenë e Memaliaj që të firmosin për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar.
Gjatë fjalës së tij, Berisha tha: Ftoj të gjithë delegatët e Kuvendit Kombëtar të PD-së të degës Gjirokastër, Përmet, Tepelenë, Memaliaj, pa përjashtim, të firmosni për mbledhjen e Kuvendit. Si të doni votoni në Kuvend, por firma juaj është ndërgjegjja juaj për një parti demokratike, për një parti që respekton votën e lirë. Shikoni mediat se ç’ndodh. Peng kryetarin e ka marrë në patronazh tani qeveria me propagandën e saj. Ka të tjerë që përpiqen tu mbushin mendjen shqiptarëve se nuk ka rëndësi procedura, nuk ka rëndësi vota. Këta janë mercenarë. Në këtë pikë ne ndahemi me çdo njeri. Ata për të cilët procedura nuk ka rëndësi, forumet nuk kanë rëndësi, vota nuk ka rëndësi, ata janë mercenarët që nuk i duhen pluralizmit. Ata nuk kanë abc e pluralizmit, por xhepin e tyre. Nuk kemi gjë të përbashkët me ta. Me të tjerët na bashkon vota e lirë. Dëshiroj t’ju përshëndes përzemërsisht t’u falenderoj për këtë pritje të jashtëzakonshme dhe t’ju siguroj se me përpjekje të përbashkëta do të dalim nga kjo betejë më të bashkuar, më të pavarur, më të fortë, më të hapur dhe më të sigurtë se kurrë në fitoren që na pret./tvklan.al