Zgjedhjet në RMV, akuza Zaevit për krim dhe korrupsion
Opozita e fajëson për bllokim të procesit të integrimit
Çështja e integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE futet edhe në retorikën e politikanëve në fushatën për zgjedhjet lokale.
Pozita dhe opozita me qëndrime diametralisht të kundërta rreth procesit eurointegrues, sidomos pas Samitit në Slloveni.
Sipas Kryeministrit dhe liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, krahas zhvillimit të brendshëm vendi me sukses ka rrugëtuar drejt eurointegrimeve.
“Isha në Samitin në Bërdo të Kranjit me përfaqësuesit më të lartë të BE-së dhe liderë evropian ku mora mbështetje për të arriturat gjatë katër viteve të kaluara. Anëtarësimi në BE, s`ka alternativë tjetër. Përkundër vështirësive që ka BE-ja rreth zgjerimit, nuk do të heqim dorë nga agjenda evropiane”.
Por, lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski ka shfaqur shqetësime për mesazhet që vijnë nga BE-ja, duke drejtuar gishtin për këtë, siç tha, te krimi dhe korrupsioni në LSDM.
“Madje as 2030-ta nuk është viti kur Maqedonia dhe Ballkani Perëndimor do të jenë pjesë të BE-së. Me LSDM-në, jo vetëm që nuk ka datë, por e futën Maqedoninë në një krizë të re në eurointegrimet evropiane. Për shkak të krimit dhe korrupsionit BE-ja po bëhet qëllimi i largët”.
Fushata zgjedhore përfundon më 15 Tetor në mesnatë. Bashkimi Evropian, zjarri në Spitalin modular në Tetovë, projektet e reja investuese, rritja e pagës minimale dhe mesatare ditët e fundit dominojnë në fjalimet e përfaqësuesve të partive.
Klan Macedonia