Emigracioni dhe plakja e popullsisë ulin numrin e familjeve


Emigracioni dhe plakja e popullsisë ulin numrin e familjeve

21:00 07/10/2021

Instat: Vitit 2020 ka 2,637 familje me pak se ne 2019.  Mosha mediane është rritur me 10 vite që nga vitet `90

Për të dytin vit radhazi numri i familjeve në vend ka pësuar rënie, duke reflektuar plakjen graduale të popullsisë si dhe ritmet e larta të emigracionit. Sipas të dhënave të INSTAT në 2020-n në vend kishte rreth 769 mijë familje, ose 2,637 familje më pak se një vit më parë, sipas Anketës së Buxhetit të Familjeve. Edhe në 2019-n, numri i familjeve ra me rreth një mijë, në krahasim me vitin e mëparshëm. Që nga viti 2018, kur u shënua numri më i lartë i tyre, në vend ka rreth 3,700 familje më pak.

Rënia e numrit të familjeve reflekton valën e lartë të emigracionit, ku krahas të rinjve që po ikin, po emigrojnë dhe familje të reja me fëmijë.

Sipas një ankete të INSTAT, gjatë 10-vjeçarit të fundit janë larguar nga vendi 6,6% e familjeve, gjithsej 49,500 të tilla, ndërsa në vitet 2001-2011 ishin larguar 4.4% e njësive familjare.

Kushtet ekonomike, papunësia, mbrojtja e kufizuar sociale dhe borxhet janë faktorët kryesorë për emigrantët shqiptarë. Përveç tyre, anketa ka zbuluar se ka edhe të tjerë faktorë, si mangësitë dhe cilësia e ulët e shërbimeve të kujdesit shëndetësor, strehimi, konfliktet dhe siguria fizike që shkaktojnë stres të vazhdueshëm psikologjik, përfshi cilësinë e ulët të arsimit.

Krahas largimit të familjeve, një tjetër tendencë që ka mbizotëruar gjithnjë është ikja e të rinjve. Të dhënat e Eurostat  tregojnë se 78% e grupmoshës që kanë bërë kërkesë për azil në 27 vendet e Bashkimit Europian,  janë nën 34 vjeç. Në 10 vitet e fundit kanë kërkuar azil 160 mijë të rinj ndërkohë që vitin e shkuar ishin 7 mijë kërkesa për azil.

Largimi i të rinjve ka sjell një rritje të moshës mediane në vendin tonë.  Sipas INSTAT, mosha mediane arriti në 37.6 vjeç në vitin 2021, duke u rritur me 4 muaj gjatë një viti, dhe mbi 10 vite që prej prej viteve `90. Sipas projeksioneve të INSTAT nëse emigrimi dhe lindjet do të vijojnë me këtë ritëm,  vendi ynë do përjetojë plakje të frikshme të popullsisë, deri në vitin 2060 mosha mediane pritet t’i kalojë të 50-at.

Klan News






Të ngjashme