Rama: Anëtarësimi të ndodhë kur të ndodhë, jemi bërë më realistë
“Ne jemi si afganët, por afganët e Evropës”
Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë këtë të enjte për median gjermane “Der Spiegel”. Kreu i qeverisë ka folur për strehimin e refugjatëve afganë. Rama nuk ka lënë pas krahasimet kur ka thënë se “ne jemi si afganët, por afganët e Evropës”.
“Ne nuk mund të kishim refuzuar! Kodi i nderit i shqiptarit vjen që nga Mesjeta. Mikpritja luan një rol qendror dhe kjo është e vërtetë edhe sot. ”Shtëpia juaj i përket Zotit dhe mikut”, thotë ky kod nderi. Kjo nuk është vetëm për atë mik që ju ftoni, por për të gjithë ata që ju trokasin në derë. Tradicionalisht për ne e pamundur të refuzosh ndokënd. Kjo është edhe arsyeja pse Shqipëria ishte vendi i vetëm pas Luftës së Dytë Botërore që kishte më shumë hebrenj se para fillimit të saj.
Ne jemi të ndarë për gjithçka në Shqipëri dhe ndonjëherë nuk pajtohemi edhe për faktin se sa është ora. Por, partitë tona nuk ndryshojnë në këtë çështje. Ne kemi pasur gjysmë milion refugjatë të regjistruar gjatë Luftës së Kosovës. Në vitet e fundit më shumë se 3 000 iranianë erdhën tek ne, anëtarë të opozitës të cilët ishin persekutuar brutalisht. Ne jemi si afganët, por afganët e Evropës. Vendi ynë ishte plotësisht i izoluar nën regjimin e Enver Hoxhës, madje as pjesë e Traktatit të Varshavës. Te pika e kthesës, të gjitha institucionet u rrëzuan dhe vendi ishte si në luftë civile. Në atë kohë shumë anije u mbushën me njerëz dhe u nisën drejt Italisë. Ne e kemi përjetuar të qenit refugjatë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë foli edhe për procesin e integrimit. Rama ka thënë se shqiptarët janë bërë më realistë sa i takon BE-së. Kryeministri ka folur edhe për Macron, për të cilin mendon se është më i ndershëm se disa politikanë të tjerë në Europë dhe Merkel që sipas tij do t’i mungojë Ballkanit Perëndimor.
“Nuk jemi të zhgënjyer, por jemi bërë më realistë. Ne e kemi idealizuar BE-në, ne vazhdojmë të jemi një ndër vendet më pro europiane në kontinent. Por, sot e dimë më mirë se si funksionon BE-ja. Ne mësojmë nga Europa si të ndërtojmë një shtet transparent dhe demokratik. Europa zotëron dijen dhe na e siguron këtë. Edhe kjo është një vlerë në vetvete. Anëtarësimi të ndodhë kur të ndodhë. Është krejt e qartë për mua: ne ishim të fundit që hoqëm dorë nga ideja e komunizmit dhe do të jemi po të fundit që do të heqim dorë nga ideja e Evropës. Dikush mund të vërë në dyshim Vatikanin, por jo Zotin. Ideja e një Evrope të bashkuar është Zoti.
Emmanuel Macron është shumë herë më i ndershëm sesa shumë politikanë të tjerë, të cilët fshihen pas premtimesh të bukura. Ishte Merkel ajo që i shpëtoi nderin kontinentit në atë kohë. Evropa do ta kishte humbur shkëlqimin e moralit të saj, nëse do të na kishte mbyllur kufijtë. Merkel do të na mungojë së tepërmi, pasi ajo kishte një vizion për Ballkanin”, tha Rama./tvklan.al