PSD, drejt qeverisjes me të gjelbërit dhe liberaldemokratët
Laschet paralajmëron dorëheqjen nga kreu i CDU
Negociatat për formimin e koalicionit të ri qeverisës në Gjermani kanë hyrë në një fazë vendimtare. Socialdemokratët që u renditën të parët në zgjedhjet e 27 Shtatorit kanë arritur këtë të enjte një dakordësi paraprake që të nisin zyrtarisht bisedimet për një bashkëqeverisje trepalëshe me të gjelbërit dhe liberaldemokratët për të ashtuquajturin koalicion me ngjyrat e semaforit.
Mediat gjermane raportojnë se të tre forcat kanë vendosur që të nisin të hënën zyrtarisht bisedimet për formimin e qeverisë së re dhe programin qeverisës për të cilin palët kanë dallime. Përputhshmëri më të madhe ka mes programit të socialdemokratëve dhe të gjelbërve, sidomos për rritjen e taksimit të të pasurve dhe për kalimin tek energjia që është në përputhje me standardet për mbrojtjen e mjedisit. Këto pika krijojnë kontrast me programin e liberaldemokratëve, të cilët kërkojnë krijimin e lehtësirave për biznesin.
Këto zhvillime kanë bërë që kristiandemokratët të humbin shpresat për krijimin e një koalicioni qeverisës, nëse socialdemokratët e Olaf Scholz nuk do të arrinin të siguronin mbështetjen e duhur.
Ndaj Udhëheqësi konservator gjerman Armin Laschet ofroi të hapë rrugën për një pasardhës të ri pasi e çoi partinë e tij në vendin e dytë në zgjedhjet kombëtare të muajit të kaluar. Mediat në Gjermani raportuan se Laschet u tha ligjvënësve konservatorë se partia kishte nevojë për një fillim të ri pas humbjes së saj në zgjedhje.
Tv Klan