“Rrugaçë që përdhosin qytetarin”, Lamallari: Këta kriminelë janë arrestuar të paktën 1 herë nga policia


“Rrugaçë që përdhosin qytetarin”, Lamallari: Këta kriminelë janë arrestuar të paktën 1 herë nga policia

23:23 07/10/2021

Zëvendës ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari në një lidhje direkte me emisionin “Opinion” në Tv Klan, gjatë bisedës për krimin në vend, sidomos nga të rinjtë si në rastin e 21-vjeçarit Aldi Rama, tha se të gjithë personat e implikuar në raste të tilla janë shoqëruar të paktën një herë nga policia.

Më tej, ndërsa pranoi se shpesh në këto ngjarje kriminale përfshihen edhe punonjës të policisë për përfitime, Lamallari u shpreh se kjo është në rend rritës, por edhe mbi ta është aplikuar zbatimi i ligjit.

Blendi Fevziu: Nuk mund të jepni ju përgjigje për Policinë e Shtetit, por meqë më folët po në këtë studio, përveçse është e tmerrshme dhe përtej kriminale, të qëllosh me armë drejt një oficeri të policisë apo një 21-vjeçar shkatërron jetën e vet, të qëllosh, të vrasësh gruan në shtëpi sepse dëgjon thashetheme të kafja e fshatit apo e qytetit, por është po kaq e patolerueshme që fëmijë 21-vjeç si ai djali që vrau oficerin e policisë të lëvizin me makina nga 200 mijë euro, të harxhojnë 20 apo 25 mijë euro nëpër klubet e bregdetit në verë, shpesh herë ku ngjitur janë tavolina me punonjës policie apo të pozojnë në Facebook me pistoleta mbi tavolinë apo me makina po kaq luksoze dhe me armë në brez. Kjo pastaj është një gjë që nuk tolerohet, sepse nuk bëhet fjalë për krim të organizuar, nuk kërkon ndonjë koordinim të madh me partnerët, nuk kërkon ndonjë investigim të madh, janë banditë apo rrugaçë rrugësh që shesin pak drogë apo nuk e di ç’bëjnë ndonjë akt a shkelje ligji dhe ato para i përdorin duke përdhosur qytetarin normal që shkon të bëjë një jetë normale. Po flasim për rrugaçë rrugësh, për keqbërës rrugësh që po kthehen në model për të rinjtë.

Besfort Lamallari: Patjetër edhe policia ka përgjegjësinë e saj, ashtu si çdo hallkë e shtetit dhe e shoqërisë shqiptare ka përgjegjësinë e saj dhe nëse ne nuk i biem gjësë në kokë dhe të themi që në fakt këto modele të gabuara dhe lehtësinë që tregojmë ndaj korrupsionit, edhe fakti që ka qytetarë mes nesh që pranojnë që të merresh me kanabis ose me drogë, sigurisht mjafton që të sjell të ardhura, të jep makina luksoze, mjafton që të jep vilën në Sarandë…

Blendi Fevziu: Jo vetëm këtë, se kjo mund të ndodhë në të gjithë botën, por ai e ekspozon këtë, zoti Lamallari. Ai ia nxjerr para policisë këtë, sepse keqbërës, në nivele shumë më të larta kemi parë edhe Toto Rinën e Bernardo Provencano në Itali, por për 30 vjet policia nuk i gjente një fotografi. Këtu, këta persona që kanë bërë këtë aktin, kanabisin, tregtinë, që kanë këto para, i ekspozojnë përpara policisë, kjo s’duhet të ndodhte.

Besfort Lamallari: Nuk dua të bëhem i mërzitshëm me statistika…

Blendi Fevziu: Njerëz që do të fshehin para krimi poshtë dyshekut do të ketë, por njerëz që i marrin paratë e krimit dhe t’i përplasin në surrat, kjo është arrogancë ndaj qytetarit normal.

Besfort Lamallari: Absolutisht. Diçka jua them me bindje, që të gjithë këta persona që ju përmendni, përfshirë edhe këto persona gangsterë, të fortë etj, të paktën një herë të vetme, janë arrestuar, janë shoqëruar nga Policia e Shtetit. Tani se çfarë ndodh pastaj, në hallka të tjera që të lirohen, kjo është përtej dhe nuk më takon mua ta gjykoj.

Spartak Koka: Fevziu, se ju kishit edhe lokalet në Sarandë, natën, foli edhe Kryeministri, ku foli tekstualisht shefa komisariatesh që janë tutorë të këtyre pronarëve të lokaleve dhe ku të rinj si ky që ishte në Lezhë, të armatosur, me drogë e me të gjitha. Ta themi edhe rolin e policisë, e cila është shumë e rëndësishme në këtë pikë, te pjesa për të cilën ju thoni, për pjesën e pozimit dhe hajde t’i rikthehemi diskutimit për problematikat e policisë.

Besfort Lamallari: Patjetër, ka edhe shefa të tillë, ka edhe punonjës të tillë, ka shumë të tjerë që janë në trend rritës, janë ndëshkuar, janë hetuar dhe janë arrestuar nga Shërbimi për Çështje të Brendshme dhe Ankesa, po ashtu siç ka, për fat të keq, 225 oficerë policie të shtetit shqiptar, të cilët janë vrarë./tvklan.al






Të ngjashme