Kombëtarja e Anglisë gjykohet nga trupë arbitresh femra ndaj Andorrës


Kombëtarja e Anglisë gjykohet nga trupë arbitresh femra ndaj Andorrës

19:00 08/10/2021

Ndeshja Andorra-Angli e grupit I kualifikues të Botërorit Katar 2022 ku bën pjesë edhe përfaqësuesja jonë, do të gjykohet nga një trupë arbitrash tërësisht femrash. Bilbili i është besuar ukrainases, Katerina Monzul, e cila do të ndihmohet nga bashkëatdhetaret e saj, Marina Striletska dhe Svitlana Grushko.

Ndërkaq, gjyqtarja e sistemit VAR do të jetë francezja Stefani Frapart. Pjesë e kësaj trupe do jetë edhe dy gjyqtarë meshkuj, Denis Shurman si zyrtar i katërt dhe Viktor Matjash ndihmës në sistemin VAR. Kjo është hera e parë që ekipi anglez i meshkujve do të gjykohet tërësisht nga një trupë gjyqtarësh femra.

Anglia pritet të mos hasë probleme përballë kombëtares modeste që gjendet e parafundit në grupin I me 3 pikë. Kombëtarja e “Tre Luanëve” kryeson grupin pas 6 sfidave të para, ku numëron 16 pikë. Rezultati i kësaj sfide mund t’i shërbejë edhe kombëtares shqiptare. Një ndalesë e ekipit të Southgate, që duket mëse i pamundur e kombinuar dhe me fitoren e kuqezinjve ndaj Hungarisë do e afronte akoma dhe më shumë me kreun e grupit.

Klan News






Të ngjashme