Rama dekoron gjeneralin Abbas Ibrahim


Rama dekoron gjeneralin Abbas Ibrahim

11:52 08/10/2021

“Operacionet e riatdhesimit nga Siria do të vazhdojnë”

Kryeministri Edi Rama nderoi me “Yllin e Madh të Medaljes së Kryeministrit për Mirënjohje Publike” gjeneralin libanez Abbas Ibrahim, për ndihmën që ky i fundit ka dhënë për shpëtimin e grave dhe fëmijëve shqiptarë nga kampet e ferrit në Siri. Në ceremoninë e nderit Rama e cilësoi “një mik në kohë të vështira” dhe një pikë reference.

“Në operacionet e zhvilluara në 3 vitet e fundit, ku plot fëmijë dhe gra janë nxjerrë nga ferri i Al Hol, por jo vetëm, gjeneral Abbas Ibrahim ka qenë pika jonë  e referimit, krahu ynë i zgjatur drejt atyre fëmijëve e grave, shqiptari më i mirë i papërtuar, i pakursyer dhe pa asnjë interes tjetër përveç atij human për të nxjerrë nga ferri njerëz fatkeq”.

Rama tha se po vijon operacioni për të riatdhesuar shqiptarët e mbetur në Siri.

“Ne kemi nxjerrë prej andej më shumë se gjysmën e personave. Vazhdon përpjekja, ashtu sikundër janë rritur vështirësitë, pasi situata në kampe është shumë e paqëndrueshme pasi bëhet fjalë për të ndërvepruar me shumë koka e shumë faktorë, njëri më misterioz e i rrezikshëm se tjetri”.

Ndërsa gjenerali premtoi se Libani do të bashkëpunojë për riatdhesimin e të gjithë shqiptarëve të mbetur në kampet në Siri, duke vlerësuar edhe përpjekjet e qeverisë shqiptare në këtë drejtim. 

Tv Klan






Të ngjashme