3 pika vaksinimi në universitetin e Shkodrës


3 pika vaksinimi në universitetin e Shkodrës

22:20 08/10/2021

Rektorja Golemi: Kanë marrë injeksionin 80% e pedagogëve, s’ka të dhëna për studentët

Në Universitetin Luigj Gurakuqi në Shkodër janë ngritur 3 pika vaksinimi për tu dhënë mundësi studentëve që të bëjnë injeksionin anticovid.

“Një qendër vaksinimi, duke filluar nga dita e hënë, ka për të qenë rektorati, meqenëse këtu vijnë edhe studentë, marrin vërtetime të ndryshme, interesohen për regjistrimet në studimet Bachelor e Master. Qendra e dytë do të jetë Fakulteti Ekonomik, meqenëse janë ngjitur me të edhe Fakulteti i Shkencave të Natyrës dhe Fakulteti i Shkencave Shoqërore. Qendra e tretë do të jetë te Fakulteti i Shkencave të Edukimit”.

Sipas rektores Suzana Golemi, të dhëna momentalisht ka vetëm për vaksinimin e pedagogëve.

“Në lidhje me pedagogët dhe stafin administrativ që shërben në universitetin e Shkodrës, 80% janë të vaksinuar, ndërsa për studentët aktualisht nuk kemi një numër të saktë. E di që janë vaksinuar disa studentë për shkak të korrespondencës që kemi, por një numër të saktë të vaksinimit të studentëve nuk e kemi”.

Ajo u ndal edhe procesi i regjistrimit për vitin e ri akademik. Sipas saj shumë degë i kanë plotësuar kuotat.

“Degët Infermieri, Mami, Fizioterapi janë mbyllur kuotat që në fazën e parë, po ashtu edhe Edukimi Fizik e Ekonomiku ku ka shumë studentë. Paraqiten me pak studentë vetëm degët e Mësuesisë.”

Golemi u shpreh se institucioni që ajo drejton ka marrë masat edhe për zhvillimin e mësimit online, në varësi të ecurisë së pandemisë.

Klan News






Të ngjashme