“Nuk gjendet Adriatik Llalla”, shpallet në kërkim ndërkombëtar
Policia e Shtetit njofton SPAK për mosekzekutimin e vendimit për ish-Kryeprokurorin
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar procedurat ligjore dhe ka shpallur në kërkim ndërkombëtar ish-Kryeprokurorin Adriatik Llalla.
Dokumentacioni i është dorëzuar zyrës së Interpol Tiranës për të nxjerr emrin në sistem, dhe prej këtij momenti Llalla do të figurojë me kartelë të kuqe në sistemin e personave të kërkuar shqiptarë nga të gjitha agjencitë e huaja ligjzbatuese.
Shpallja në kërkim ndërkombëtar e ish-numrit një të organit të akuzës, vjen pas 15 ditësh kërkim në çdo cep të vendit, pasi blutë nuk mundën ta gjejnë.
Në shkresën zyrtare drejtuar SPAK–ut uniformat blu, njoftuan se kanë bërë të gjitha verifikimet me metoda speciale, por nuk kanë mundur që të bien në gjurmët e ish-Kryeprokurorit.
Nga verifikimet e deri tanishme rezulton në sistemin TIMS se Ardiatik Llalla është larguar nga vendi ynë rreth një muaj më parë. Burime jo zyrtare kanë bërë me dije se ai gjendet në Zvicër.
Adriatik Llalla do të jetë në listën e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar së bashku me shumë qytetarë të tjerë shqiptarë. Më 22 Shtator, Gjykata e Posaçme e Apelit e gjeti fajtor Llallën për veprën penale të “fshehje së pasurisë”.
Ai u dënua me dy vite burg, ndërsa për 5 vite nuk mund të ushtrojë asnjë funksion publik. Po ashtu gjykata i konfiskoi 22 mijë metra katror truall dhe një apartament në Durrës.
Tv Klan