Manastirliu ftesë për bashkëpunim bashkive
“Derë më derë për të ftuar qytetarët të vaksinohen”
Pranvera e 2022 duhet të shënojë fundin e imunizimit ndaj Covid -19 për popullatën mbi 18 vjeç.
Ky është objektivi i qeverisë shqiptare, dhe për këtë ministrja e Shëndetësisë ka kërkuar angazhimin e të gjithëve.
Gjatë një takimi me drejtues vendorë në Bashkinë Fier, Manastirliu kërkohet t’u bëhet thirrje derë më derë për vaksinim.
“Do të kërkoja angazhimin tuaj në territor, si drejtues vendorë dhe që keni një lidhje të fortë me komunitetet tuaja, që bashkë me ekipin e shëndetsisë, të shkojmë derë më derë, në çdo fshat, në çdo shtëpi, për t’i dhënë mundësi çdo qytetari të mbrohet duke u vaksinuar. Ky nuk është një aksion i zakonshëm, është një aksion në emër të jetës. Ne do të garantojmë përmes një plani të mirëorganizuar, vaksinimin derë më derë, me njësitë e lëvizshme, me strukturat tona në territor”.
Edhe këtë herë Manastirliu apeloi për vaksinim si mundësia e vetme për t`i dhënë fund pandemisë.
“Dua t’i bëj thirrje çdo qytetari të vaksinohet jo se e themi ne, po se e thonë ekspertët më të mirë në botë. Se nuk ka rrugë tjetër për të afruar fundin e kësaj pandemie përveç se me vaksinim. Nga ana tjetër, do të nisim të hënën një tjetër aksion, do të jemi në terren në çdo universitet, për vaksinimin masiv të studentëve, si domosdoshmëri për të garantuar mbarëvajtjen e vitit të ri akademik që është në prag”.
Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total rreth 1milionë e 800 mijë doza të vaksinës anti-Covid.
Tv Klan