Përfshihet nga flakët stadiumi i Andorrës
Në “Estadi Nacional” është caktuar që të luhet përballja Andorre-Angli, por flakët kanë shkaktuar dëme në impiant
Stadiumi ku do të luhet ndeshja kualifikuese për botërorin Katar 2022 Andorrë-Angli u përfshi nga flakët 28 orë përpara nisjes së sfidës.
Zjarri filloi ndërsa disa punëtorë po saldonin një skelë, e cila do të shërbente për mediat për transmetimin e takimit.
Në një kohë të shkurtër flakët përfshinë edhe pankinën e skuadrës vendase si edhe një sipërfaqe në pjesën anësore të fushës plastike.
Po fusha nuk është dëmtuar, edhe pse një sipërfaqe e vogël ka pasur dëme për shkak të copave të përhapura.
Ekrani i sistemit VAR u dogj plotësisht.
Si pasojë e flakëve të dendura tymi u ngrit në ajër dhe u përhapën në një bllok pallatesh pas stadiumit 3 mijë vendësh.
Flakët u shujtën nga ndërhyrja e zjarrfikësve. Organizatorët kanë kohë deri nesër në mbrëmje për të bërë gjithçka gati për ndeshjen e dy kombëtareve që janë në Grupin I, bashkë me Shqipërinë.
Zyrtarët do të vendosin për zhvillimin ose jo të sfidës, duke analizuar nëse ka ndonjë rrezik për lojtarët, stafin apo tifozët.
Klan News