Ngel pa ujë sepse shtëpia ndodhet në zonë kufitare, emisioni “Stop” ndihmon qytetarin
Emisioni “Stop” ka shkuar në lagjen e Çollakëve, në banesën 4 katëshe të qytetarit Tasim Mata. Kjo banesë është kufiri ndarës midis Saukut dhe Farkës.
Tasimi tregon, se prej 10 vitesh është furnizuar rregullisht me ujë nga Farka. Mirëpo, prej 4 muajsh, që kur është kthyer nga Belgjika, Tasimi nuk ka ujë. Është interesuar tek UKT-ja, ku i kanë thënë, se do të ndryshohet lidhja, por ende asgjë nuk është bërë. Tasimi po merr ujë te komshinjtë, të cilët furnizohen.
Për këtë rast, gazetarja komunikon me Drejtorin e Përgjithshëm të Shpërndarjes në UKT dhe ai i premton zgjidhje, duke e lidhur me Drejtorin e Shpërndarjes, zona e Farkës Klajdi Cela. Në UKT premtuan, se brenda javës, do të zgjidhnin problemin e qytetarit Tasim Mata.
Drejtori i Prodhim-Shpërndarjes UKT: Ai supozohet, që merr me Farkën. Është, Farka ka tjetër…
Gazetarja: E kuptoj por ai nuk po merr as me Farkën.
Drejtori i Prodhim-Shpërndarjes UKT: Hej, Zot!
Gazetarja: Ka 4-5 muaj ky muhabet.
Drejtori i Prodhim -Shpërndarjes UKT: Jo është shumë 4, 5 muaj! Shumë!
Gazetarja: Mund të na sjellësh një specialist që ta verifikojë situatën nga afër?
Drejtori i Prodhim- Shpërndarjes UKT: Atëherë, ma nis numrin edhe të cojmë njerëzit, inxhinierët aty, dhe ta kontrollojmë tamam!
Pas komunikimit me Drejtorin e përgjithshëm të Shpërndarjes në UKT, gazetarja e emisionit “Stop” iu drejtua zonës së Farkës.
Punonjësja:Duhet të pyesni tek sektori përkatës, që është “Prodhim- Shpërndarja”!
Gazetarja: Po një përgjegjës, inxhinier, me kë të flas me Klajdin?
Punonjësja- Po, Klajdi është.
Gazetarja: Është këtu tani se kam folur vetëm në telefon.
Punonjësja: Me thënë të drejtën, nuk e kam parë!
Duke qenë se shefi i shpërndarjes së zonës së Farkës nuk ndodhej në terren, gazetarja komunikon nëpërmjet telefonit.
Drejtori Klajdi Cela: E kam çuar tek “Zyra e Projektimit”. I kam thënë zotërisë, që është tek “Zyra e Projektimit”, kam bërë kërkesën për ndryshim pikë-lidhjeje! Ia kam çuar “Zyrës së Projektimit” dhe është tek “Zyra e Projektimit”. Do interesohem dhe të them!
Ujësjellës Kanalizime Farkë nuk ishte se nuk ishte në dijeni të kësaj problematike, madje kjo e fundit e kishte dërguar këtë problematikë tek zyra e projektimit.
Drejtori Klajdi Cela: Brenda javës, më tha “Zyra e Projektimit”, që do realizohet! Mos them edhe më shpejt, por më thanë brenda javës!
Ujësjellës Kanalizime e mbajti premtimin, brenda javës në kohë rekord ka filluar punimet për të furnizuar me ujë të pijshëm Tasimin. /tvklan.al