Rama: Parashikohet që kjo krizë do të zgjasë deri Qershorin e ardhshëm


Rama: Parashikohet që kjo krizë do të zgjasë deri Qershorin e ardhshëm

22:00 08/10/2021

Kryeministri Rama i ftuar në “Zonën e Lirë” në Tv Klan ka treguar se kriza e energjisë e cila ka prekur gjithë botën do jetë agresive deri në Qershorin e vitit të ardhshëm, por nuk parashikohet që pas Qershorit, çmimet do rikthehen aty ku kanë qenë përpara se të fillonte kriza.

“E para njëherë sa i përket çmimit të energjisë, nesër unë do dal për të ndarë me gjithë opinionin publik, planin që ne kemi bërë gati sikundër e kisha paralajmëruar në mesazhin që drejtova. Kjo është emergjencë, kriza është reale, çmimet janë rritur në mënyrë eksponenciale dhe ne prekemi drejtpërdrejtë sepse ne dalim në treg.

Ne jemi të detyruar që të blejmë energji. Përtej atyre që thonë se ne kemi ujë, ne nuk varemi nga uji, varemi nga shiu. Ne nuk e kemi ende sistemin që mund të mbajmë rezerva ujore, kur ka kohë thatësire. Ndaj ne po krijojmë Skavicën për të krijuar rezervën ujore. Për shkak se bie prodhimi rritet çmimi.

Parashikimi është që kjo krizë në fazën e vet agresive do të zgjasë deri rreth Qershorit të vitit të ardhshëm. Por nuk parashikohet që pas Qershorit çmimet të rikthehen aty ku ishin përpara se të fillonte kriza. Nuk do të mbeten aq. Ajo që parashikohet është që çmimet do të relaksohen, por nuk parashikohet që do bien aty ku ishin para fillimit të krizës.

Është një situatë shumë-shumë e rëndë realisht. Për ne është katërfishuar çmimi i blerjes sot. Njësoj si të njëjtën gotë me ujë ta blesh katër herë më shtrenjtë.

Ne nuk duam që të adresojmë problemin sa për të hedhur këtë lumë. Ne mund ta zgjidhnim kështu në këtë moment, por do të bënim një autogol të mundshëm

Planin do ta publikojmë nesër. Të mos ia ngarkojmë konsumatorit familjar krizën sepse kjo do të ishte më e thjeshta, por kjo do të ishte një zgjedhje e rëndë dhe jo e drejtë sepse mundësitë për të kapërcyer këtë fazë agresive pa e ngarkuar konsumatorin familjar ekzistojnë”, është shprehur Rama. /tvklan.al






Të ngjashme