Qartësohet kërkimi për jetën në Mars
Kërkuesit e NASA tashmë janë të bindur se roboti Perserverance është dërguar në vendin e duhur në planetin Mars.
Sipas tyre, në pjesën ku ndodhet roboti, janë edhe mundësitë më të mira për të gjetur prova të jetës së dikurshme në trupin qiellor.
Roboti, i cili quhet shkurt “Percy” u ul në kraterin Jezero në muajin Shkurt dhe që –prej asaj dite ka shkrepur mijëra imazhe të ambientit rrethues.
Në bazë të analizave, Percy ndodhet në shtratin e një liqeni të madh që ekzistonte dikur, që ushqehej nga një lumë gjarpërues, i cili vinte nga perëndimi. Kjo do të thotë se mjedisi i krijuar ishte ideal për jetesën e mikroorganizmave dhe gjurmët e tyre kimike duhet të jenë ruajtur.
Detyra e robotit është grumbullimi dhe paketimi i më shumë se dy duzinave me gurë nga vende të ndryshme të Marsit. Këto mostra do të sillen në Tokë në vitin 2030 dhe do të ekzaminohen në laboratorët e ekspertizës që do të përcaktojnë nëse ka patur forma të jetës në planetin e kuq./tvklan.al