Çekët në votime të përgjithshme


Çekët në votime të përgjithshme

20:20 09/10/2021

Rezultati i ngushtë, pritet koalicioni i ri

Sipas sondazheve paraprake të zgjedhjeve në Republikën Çeke partia qeverisëse e Kryeministrit Babis, pritet të fitojë me shumë pak pikë përqindje. Kryeministri Andrej Babis ka kërkuar një mandat të dytë pavarësisht kritikave se keqmenaxhoi pandeminë, rriti borxhin kombëtar dhe ndoqi interesat e tij të biznesit. Babis është duke u përballur aktualisht me akuzat për prona të padeklaruara jashtë Çekisë, të cilat janë zbuluar nga të ashtuquajturat “Letra të Pandorës”.

Rezultatet paraprake e vendosin partinë populiste ANO të Babis vetëm disa pikë përqindje përpara secilit prej dy grupeve kryesore të opozitës që janë zotuar të punojnë së bashku për ta rrëzuar atë.

Kryeministri Babis është themeluesi i perandorisë “Agrofert” të ushqimit, bujqësisë, kimikateve dhe medias, e cila punëson më shumë se 30.000 njerëz në Evropën qendrore. Në këto zgjedhje Babis mund ta ketë të vështirë të gjejë partnerë në formimin e një qeverie koalicioni. Dy parti më të vogla që e mbështesin qeverinë e tij – Socialdemokratët e majtë dhe Partia Komuniste mund të mos fitojnë vende të mjaftueshme për të mbetur në Parlament.

Kjo mund ta detyrojë ANO-n të kërkojë marrëveshje me nacionalistët e ekstremit të djathtë, për të mbajtur pushtetin. Një rezultat tjetër i mundshëm është një qeveri e përbërë nga dy blloqet kryesore opozitare të qendrës së djathtë dhe qendrës së majtë.

Klan News






Të ngjashme