Bie mbulimi vaksinal tek fëmijët
Mjekët: Mund të shpërthim të fruthit
Të dhënat e Shëndetit Publik për 2020 tregojnë një rënie të mbulimit vaksinal në 91% për grupin fruth/rubeolë/parotit, vaksina këto të detyrueshme për fëmijët. Në vitin 2019 Shqipëria renditej e dyta në rajon, pas Maqedonisë së Veriut, sa i përket rasteve të fruthit tek fëmijët e pavaksinuar. Kjo situatë pasohej pas një mbulimi vaksinal prej 94.1% në 2018-n. Ky fakt ka rritur shqetësimin tek mjekët që e konsiderojnë një rrezik për shpërthimin e një epidemie tjetër krahas Covid-19.
“Këto raste mund të sjellin rrezikun e shpërthimit të vatrave të fruthit duke qenë se lëvizja e popullatës është më e madhe dhe mundësia e përhapjes më e shpejtë. Sidomos aty ku ka fëmijë të pavaksinuar kundër fruthit”.
Mjekja pranon se prindërit po hezitojnë për vaksinimin e fëmijëve gjatë pandemisë së koronavirusit, por thekson se kjo është e vetmja mbrojtja e vetme dhe e sigurtë.
“Fruthi është fatal kryesisht në moshat nën 5 vjeç dhe të rritur mbi moshën 20 vjeç. Mund të sjellë komplikacione të rënda deri në vdekje. Mbetet një nga shkaqet e vdekshmërisë foshnjore. E vetmja mënyrë për ta izoluar është vetëm vaksina”.
Ulja e mbulimit vaksinal për fruthin vihet re edhe në rajon. Kosova shënon një rënie në 92% për vitin 2020. Ndërkohë që Organizata Botërore e Shëndetit e cilëson vendimtare për eliminimin mbulimin prej 95% me dy doza të vaksinave të fruthit në të gjitha grupet e popullsisë dhe grupmoshat në nivel kombëtar.
Tv Klan