Kriza energjetike, një shtet i tërë zhytet në errësirë totale
Libani është zyrtarisht në krizë energjetike. Rrjeti elektrik pësoi një ndërprerje të plotë për shkak të mungesës së karburantit në të dy stacionet kryesore të energjisë, duke përkeqësuar edhe më tej situatën në vend, e duke lënë popullatën prej rreth gjashtë milionë njerëzish në errësirë totale.
Një zyrtar i kompanisë shtetërore të energjisë tha se “stacionet e energjisë al-Zahrani dhe Deir Ammar pushuan së funksionuari pasi mbaruan furnizimet me naftë”. Kjo sipas tij ka çuar në një kolaps të plotë të rrjetit, pa mundësinë për t’u rikthyer tani për tani. Sipas një burimi qeveritar, kolapsi pritet të vazhdojë për disa ditë.
Edhe para kolapsit, ofruesi shtetëror furnizonte shumë pak energji elektrike çdo ditë dhe kishte paralajmëruar për këtë ndërprerje dy javë më parë.
Libani, që po vuan nga kriza e tij më e keqe ekonomike, që nga lufta e tij civile 1975-90, po përballet me një mungesë të madhe të karburantit, duke çuar sektorin e shëndetësisë dhe të tjerë sektorë jetësorë në vend në prag të kolapsit.
Klan News