Nga një institucion në tjetrin, si e zgjidhi “Stop” regjistrimin e vajzës në shkollë


Nga një institucion në tjetrin, si e zgjidhi “Stop” regjistrimin e vajzës në shkollë

21:16 01/10/2021

Për rastin e vajzave, njëra prej të cilave nuk regjistrohet dot në shkollën “Betim Muço”, emisioni “Stop” në Tv Klan iu drejtua portalit “e-Albania”, por aty shpjegojnë, se të dhënat shkojnë nga MAS dhe Bashkia, ndaj ata nuk kanë asnjë përgjegjësi, apo zgjidhje.

Specialisti: Nëntë muaj, që në Janar, që ne kërkojmë listën e shkollave, që t’i hedhësh në portal, që ta zgjidhësh. Ke listën e rrugëve, të integruara këto me njëra-tjetrën. Pra, cila rrugë i takon kësaj shkolle. Përveçse na vijnë me shumë vonesë nga MAS dhe Bashkia Tiranë…

Gazetarja: Aplikimet?

Specialisti: Jo, listat, listat e shkollave dhe listat e rrugëve. Përveçse na vijnë me vonesë, na vijnë edhe me gabime. Një pjesë e rrugëve nuk ishin, pastaj një pjesë e rrugëve vinin, “Rruga e Elbasanit” deri tek kryqëzimi me liceun. Ti s’e vendos dot! S’është as ligjore! Kishte të tjerë, shkollën e kishte tek “Ali Demi”, pallatin e kishte përballë, si rasti i fundit dhe futej në sistem dhe nuk i dilte rruga, sepse atë pallat e kishin çuar tek “Kushtrimi i Lirisë”. “Nuk funksionon kështu”, i thashë! “Lini takim me MAS, na sill të gjithë shkollat, se me të drejtë ai ankohet”. Ne jemi ata, që fusim kabllin, dhe MAS nuk na thotë neve, që hape dhe shërbimin e transferimit të shkollës.

Gazetarja: Si mund ta zgjidhim?

Specialisti: Po prandaj thashë pra, që e gjithë kjo është çështje e MAS, nuk ka lidhje këtu tek unë.

Pas kësaj përgjigjeje nga specialisti i portalit “e-Albania”, alternativa logjike ishte që emisioni t’i drejtohej Ministrisë së Arsimit për të pyetur në lidhje me rastin.

Punonjësja MAS: Odetë, pse nuk bën një kërkesë?  T’i printojmë këto…

Gazetarja: Po i kam bërë të gjitha!

Punonjësja MAS: A e ke bërë kërkesën këtu në MAS?

Gazetarja: E ka bërë edhe qytetari, e ka bërë edhe te “e-albania”.

Pasi nuk mori një zgjidhje nga MAS, sipas direktivës së drejtorit të shkollës 9-vjeçare “Betim Muço”, emisioni “Stop” iu drejtua Drejtorisë Arsimore Tiranë. Drejtoria Arsimore i çoi te portali “e-albania”, ky i fundit për te Ministria e Arsimit, e cila u përgjigj se nuk i vendos ajo emrat e rrugëve dhe tha se duhet të pyesnin njësinë bashkiake numër 6.

Punonjësja e njësisë: Për rastin konkret ne nuk jemi në dijeni. Sot që u paraqitët ju, po marrim kërkesën e zotërisë dhe po ia nisim Drejtorisë Arsimore për sistemimin e fëmijës. As që bëhet fjalë, fëmija nuk do të ngelet pa shkollë dhe do të regjistrohet patjetër atje te shkolla ku do.

Gazetarja: Te shkolla ku kishte filluar edhe ciklin, “Betim Muço” se kjo është e gjitha?

Punonjësja e njësisë: Atje ku fëmija ka bërë parashkollorin.

Gazetarja: Tani, çfarë duhet të bëjë prindi?

Punonjësja e njësisë: Duhet të bëjë një kërkesë që do t’ia dorëzojmë njësisë për mbrojtjen e fëmijëve dhe shkresa do t’i niset për dijeni bashkisë Tiranë e Drejtorisë Arsimore dhe asaj të Ministrisë.

Gazetarja: Këtu kemi zotin Alban, prindin e vajzës, i ke marrë besoj dokumentat me vete?

Alban Matja: Po, i kam marrë.

Gazetarja: Vajza është banore fëmijë e njësisë, të rruga afër shkollës, “Njazi Mio”.

Punonjësja e njësisë: Do ta rregulloj, pa merak, do ta nisim shkresën dhe presim përgjigje nga Ministria Arsimore.

Gazetarja: Pra, zoti Alban, siç na premtoi edhe njësia bashkiake numër 6, vajza do të të regjistrohet më datë 27 Shtator për të filluar shkollën.

Alban Matja: Kisha një muaj që po interesohesha për vajzën që ta regjistroja në shkollë dhe nuk gjeta zgjidhje. Pas insistimit të emisionit “Stop”, e gjeta zgjidhjen, regjistrova vajzën në shkollë te “Betim Muço” dhe të dyja vajzat i kam tani të pandashme, në një shkollë bashkë.

Gazetarja e “Stop” shoqëron vogëlushen në shkollë në ditën e parë të vitit mësimor./tvklan.al






Të ngjashme