Asgjesohen 13 mijë vaksina “Pfizer” në Maqedoninë e Veriut
Ishin pjesë e donacionit nga Bullgaria
Vaksinat e pashfrytëzuara kundër Covid-19 që erdhën si donacion nga Bullgaria, për shkak të skadimit të afatit do të asgjësohen si mbetje mjekësore, kanë konfirmuar nga Ministria e Shëndetësisë.
“13.000 doza të “Pfizerit”, që erdhën nga Bullgaria, janë tërhequr nga përdorimi. Konform procedurave ligjore, vaksinat do të asgjësohen, si mbetje mjekësore”.
Donacioni prej 51.480 doza të vaksinave “Pfizer” nga Bullgaria në Maqedoninë e Veriut mbërritën më 16 Shtator dhe kishin afat përdorimi deri më 30 Shtator.
Autoritetet e shëndetësisë thonë se mbi 788 mijë qytetarë kanë marrë një dozë të vaksinës, mbi 729 mijë të tjerë janë rivaksinuar, kurse 235 kanë marrë tre doza të vaksinës antiCovid.
MSH-ja thotë se 53% e qytetarëve mbi 40 vjeç kanë marrë dy doza të vaksinës, kurse 32% të grupmoshës 18 deri 39 vjeç kanë marrë të paktën një dozë vaksine.
Klan Macedonia