11:30 22/12/2013 Në ballon shqiptare të fundvitit, Presidenti i Republikës Bujar Nishani tha se është koha për të reflektuar lidhur me të ardhmen që Shqipëria po ndërton, një çështje që sipas tij është në vëmendjen e të gjithë shqiptarëve. Presidenti theksoi se vëmendja e të gjithëve duhet të jetë tek vlerat, pasi sipas tij, sa më tepër vlera të prodhojë një vend as më të shëndetshme dhe të sigurt e ka të ardhmen. “Vlerë është çdo veprim që u shton njerëzve lirinë, bëhet dhe mbetet. E vërteta është që përtej persiatjeve skeptike, ne shqiptarët kemi ditur ti ruajmë dhe trashëgojmë vlerat që na kanë lënë të parët dhe sigurisht edhe sot prodhojmë vlera”, tha kreu i shtetit gjatë fjalës së tij. Nishani vuri theksin tek ndërtimi i veprave të infrastukturës, përmirësimi i sistemit arsimor dhe luftën kundër korrupsionit. Kreu i shtetit u shpreh se Shqipëria mund të përparojë vetëm nëse ruan vlerat që ka trashëguar dhe nëse përmirëson arritjet e saj. Kjo ishte balloja e parë e organizuar nga presidenti Nishani dhe zonja e parë me rastin e fundvitit. Në këtë mbrëmje gala, u dekoruan personalitete me kontribut të çmuar në jetën e vendit. Presidenti Nishani tha se kjo ballo do të kthehet në traditë.