Karantina rrit kërkesën për miell në Itali
Gatimi, hobi i ri i italianëve të izoluar prej 6 javësh
Italianët janë të njohur botërisht si adhurues të ushqimit, ndaj nuk është aspak çudi që karantina të ketë shtuar jo vetëm oreksin por edhe deshirën për të gatuar deri në pikën sa kërkesa për miell në treg është rritur në nivelin më të lartë që nga koha e Luftës së Dytë Botërore.
Të detyruar të qëndorjnë 24 orë të mbyllur në shtëpi, me restorantet që janë të mbyllur në javën e 6-të të karantinës italianët kalojnë më shumë kohë në kuzhinat e tyre duke bërë bukë shtëpie, pica, makarona të bëra vetë, briosh dhe embëlsira të ndryshme.
Mulliri i familjes “Bigazzi” në Umbria nisi të prodhonte miell 150 vjet më parë, dhe ata nuk e kanë parë një kërkesë si kjo e tanishmja që prej kohes së Luftës së Dytë Botërore. Vetëm në muajin Mars ata patën një rritje prej 500 përqind të kërkesave. Ndërsa në raftet e supermarketeve mielli ka “fluturuar”. Sipas të dhënave, kërkesa dhe shitja e mielit është rritur me 150 përqind. Sapo marketet të furnizohen, raftet do të boshatisen sërish, pasi gatimi duket hobi më i ri i italianëve.
Tv Klan