Pesë ekipe rrezikojnë rënien
Barazimi i Partizanit në Vlorë duket se i nxori të kuqtë përfundimisht jashtë garës për titullin kampion. Shpresa mbahet vetëm matematikisht, por me shumë mundësi trofeu do të vendoset në ndeshjen e javës së ardhshme Kukësi – Skënderbeu. Javët e fundit të kampionatit e kanë turbulluar më shumë situatën e disa klubeve të cilat ende nuk e kanë të sigurt qëndrimin në Superligë. Nga Vllaznia e vendit të 5 deri tek Tirana e vendit të 9, skuadrat mundë të fitojnë shumë ose të humbin gjithçka.
Nëse në dy ndeshjet e mbetura ndaj Teutës dhe Tiranës, Vllaznia nuk merr asnjë pikë, rrezikon të zbresë në vend të 9, sigurisht nëse një skuadër tjetër do të marrë pikë të plota.
Luftëtari është i vetmi ekip që do të luajë i pashqetësuar në dy takimet e fundit. Ndërkaq në fije të perit varen shpresat e Tiranës, Laçit, Flamurtarit, Teutës dhe Vllaznisë. Bardheblutë e kryeqytetit janë të shtrënguar të fitojnë me Luftëtarin dhe Vllazninë për të qenë të sigurt. Në pozita më të favorshme është Laçi dhe Flamurtari.
Të dyja kanë një përballje me njëra tjetrën. Laçi në ndeshjen e fundit do të presë Teutën, ndërsa Flamurtari luan kundër Korabit. Durrsakët do të luajnë kundër Vllaznisë në një ndeshje delikate.
Edhe pse llogaritë e klubeve kanë nisur prej disa javësh, ky sezon ka vërtetuar thënien se në futboll gjithçka mund të ndodhë.
Tv Klan