Grupi i trafikanteve të Met Kananit, 1 vit nën hetim
Oficerë të zyrës së Antidrogës së Policisë së Shtetit, dorëzuan këtë të premte në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, materialet hetimore të grumbulluara për llogari të hetimit të grupit të drejtuar nga Met Kanani, apo i njohur ndryshe edhe baroni i drogës “Met Shqiptari”. Ai u arrestua nga policia turke në Stamboll të martën, më 20 Mars.
Burime të Policisë së Shtetit thanë se në dosjen e dorëzuar përfshihen një sërë informacionesh dhe të dhënash të administruara në formën e akteve hetimore. Po kështu burimet thonë se në dosje janë renditur një sërë informacionesh të shkëmbyera mes policisë shqiptare dhe asaj turke gjatë hetimeve për grupin.
Burimet e policisë thonë se ka së paku edhe një ngarkesë tjetër e cila është kapur nga policia turke më parë, gjatë hetimit të rrjetit të trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Turqisë.
Grupi i mësipërm kishte më tepër se një vit që ndiqej nga policia shqiptare dhe ajo turke. Procedimi që prej një viti është regjistruar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Kjo e fundit ka autorizuar policinë për të kryer edhe një sërë përgjimesh ambientale dhe telefonike të pjesëtarëve të dyshuar të grupit.
Gjatë kësaj kohe burimet thonë se kanë mundur të identifikojnë me tepër se 10 shtetas shqiptarë që dyshohet se janë përfshirë në këtë rrjet të trafikut të drogës nga Shqipëria në Greqi dhe Turqi. I njëjti grup dyshohet se është përfshirë në importimin e heroinës nga Afganistani e Turqia drejt Shqipërisë me destinacion vendet e BE-së. Grupi i godit nga policia turke në Stamboll të martën duke arrestuar 5 shqiptarë dhe 6 turq. Mes të arrestuarve është edhe Met Kanani, i cilësuar se drejtues i grupit.
Tv Klan