A do e dorëzojë Trump, Gylenin?
Presidenti amerikan, Donald Trump ka përsëritur përkrahjen për Turqinë, “si partner strategjik dhe aleat i NATO-s”, gjatë një bisede telefonike që e ka pasur me homologun turk, Rexhep Tajip Erdogan.
Sipas njoftimeve zyrtare, Trump, gjatë bisedës gjithashtu ka thënë se të dy vendet “janë të përkushtuara për të mundur terrorizmin në të gjitha format”, ndërsa ka mirëpritur kontributin e Turqisë në luftën kundër grupit ekstremist, Shteti Islamik.
Anëtari i NATO-s, që është shtet fqinj me Sirinë, Irakun dhe Iranin, Turqia është një lojtar i rëndësishëm në rajon, por marrëdhënia e Erdoganit me ish presidentin amerikan, Barack Obama, si dhe me Evropën perëndimore, në disa raste kanë qenë të tensionuara.
Turqia është zemëruar me atë që e quan ngurrim të Uashingtonit për të dorëzuar klerikun turk, Fetullah Gylen të cilin e akuzon si orkestrues të puçit të dështuar, para katër muajsh.
Të dy aleatët gjithashtu kanë tensione për shkak të përkrahjes amerikane për grupin militant kurd, YPG, që Ankaraja e konsideron si organizatë terroriste.
Televizioni CNN Turk, ka thënë se Erdogan gjatë bisedës telefonike ka kërkuar nga Trump që SHBA ta ndërpresë përkrahjen për YPG-në, ndërsa televizioni tjetër turk, NTV ka raportuar se Erdogan i ka bërë thirrje Uashingtonit që ta përkrah Turqinë në luftën kundër “rrjetit” të Gylenit./ tvklan.al