A duhen asgjësuar mushkonjat?
Gjendet mënyra për zhdukjen e mushkonjave. Është inxhinieria gjenetike që vret femrat riprodhuese dhe kjo gjë është verifikuar tashmë në një kafaz të laboratorëve të universitetit Imperial College të Londrës.
Kërkuesit kanë arritur të injektojnë një gen tek mushkonjat femra që është në gjendje të bllokojë fertilitetin më një metodë që rezulton 99% e suksesshme.
Kolapsimi i popullatës së insekteve bezdisës në laborator ka ndodhur brenda 7-11 gjeneratave në mënyrë të pakthyeshme. Kjo është hera e parë që arrihet një gjë e tillë dhe rezultati është publikuar në revistën shkencore Nature Biotecnology.
Teknika e përdorur është emërtuar Gene Drive dhe konsiston në manipulimin e transmetimit e të njëjtit gen ndër dy prindërit nga një brez në tjetrin. Deri më sot, të gjitha teknikat e tjera gjenetike të përdorura për zhdukjen e mushkonjave kishin dështuar, pasi këto insekte arrinin gjithnjë të krijonin rezistencë.
Tani kërkuesit do të vijojnë punën për fazat e tjera të eksperimentimit, por edhe diskutimet etike nëse insekti duhet zhdukur nga zinxhiri i jetës. Aktualisht shifrat e fundit mbi dëmet e mushkonjave flasin për 216 mln të infektuar në vitin 2016 nga malarja, ndër të cilët 445 mijë me pasojë vdekjen.
Klan Plus