A është pornografia e dëmshme?


A është pornografia e dëmshme?

14:08 28/09/2017

Gjatë kohës që njerëzit rreth botës hanë ushqime të ndryshme, flasin gjuhë të ndryshme dhe madje ndiejnë emocione të ndryshme, miliona prej tyre bëjnë një gjë: shikojnë materiale pornografike.

Pavarësisht se është kaq shumë e konsumuar, pornografia konsiderohet si e dëmshme për shoqërinë. Madje, nga disa politikanë në Utah është konsideruar si rrezik i shëndetit publik.

Për shkak të zhvillimeve teknologjike vitet e fundit, që kanë të bëjnë me internetin, edhe pornografia ka arritur të ndryshojë dhe t’u përshtatet këtyre ndryshimeve, për shembull me realitetin virtual.

Këtë vit, disa kërkues në ‘Newcastle University’ zbuluan se ndryshimet që kanë ardhur në biznesin e pornos sidomos me realitetin virtual mund të çojë në mosnjohjen mes reales apo fantazisë seksuale. Madje mund të çojë deri në dëmtimin e marrëdhënieve, ose deri në një sjellje negative në shoqëri të këtyre personave.

Një nga pyetjet që bëhet nga studiuesit në lidhje me pornografinë është nëse ajo inkurajon apo shkakton aktet e përdhunimit dhe dhunës seksuale.

Në një studim të bërë në vitet ’70 nga Berl Kutchinsky, një profesor i kriminologjisë në Universitetin e Kopenhagen, ku ai mati krimet seksuale në Danimarkë, Suedi dhe Gjermani, në vitet ’60 deri në fillim të viteve ’70, kur pornografia ishte e legalizuar, ai nuk arriti të gjente nëse kishte rritje të krimeve seksuale në atë kohë.

Madje, krimet seksuale kishin rënë gjatë kësaj periudhe, duke përfshirë këtu edhe përdhunimet apo edhe ngacmimet ndaj fëmijëve.

Ndërsa Neil Malamuth në Universitetin e Kalifornisë ndërmori disa studime rreth pornos dhe dhunës seksuale duke përfshirë në studim 300 meshkuj. Ai arriti në konkluzionin që personat që janë agresivë seksualisht dhe shikojnë materiale me pornografi agresive kanë më shumë të ngjarë që të kryejnë një akt të agresionit seksual.

Por, gjithashtu në një intervistë për BBC ai argumenton që nuk është pornoja arsyeja e dhunës. Sipas tij “konsumimi” i pornos mund të krahasohet me atë të alkoolit, duke sugjeruar se në vetvete nuk është e dëmshme, por mund të bëhet e tillë.

Nga shumë efektet negative që ka, pornoja thuhet se shkakton varësi.

Një studim në Universitetin e Kembrixhit e lidhi varësinë ndaj pornografisë njësoj me atë ndaj drogës, duke gjetur se të dyja e tërheqin trurin në të njejtën mënyrë.

Të shikosh porno është lidhur me një shumëllojshmëri problemesh individuale dhe më gjerë në shoqëri, por sa herë që një studim e konsideron si rrezik atë, një tjetër i pastron emrin.

Duke patur parasysh edhe zhvillimet teknologjike, siç kemi të bëjmë me realitetin virtual, prapë se prapë shkencëtarët mendojnë se është akoma herët për të folur për një rrezik të përfshirjes plotësisht në materialet pornografike.

Pyetja për shkaqet dhe efektet vijnë me shumë kërkime rreth pornos.

Ka shumë pyetje se cilat janë shkaqet dhe efektet e pornografisë, për shembull: a tërheq pornoja më shumë personat me tendenca të një sjelljeje agresive seksuale, ata që janë të palumtur në një lidhje apo ata me varësi seksuale.

Por, është shumë e vështirë të studiosh pornografinë dhe derisa të kemi disa përgjigje të cilat përcaktojnë realisht nëse është e dëmshme apo jo, provat që zotërojmë deri më tani na sygjerojnë që nëse pornoja ka një efekt shumë negativ, kjo varet vetëm nga “konsumimi” personal i materialeve pornografike.

Burimi: BBC

Shqipëroi: tvklan.al






Të ngjashme