A rrezikon shkarkimin Presidenti Trump?
“Fajtor” dhe “kriminel” janë fjalët që u projektuan në fasadën e hotelit Trump në Uashington, pas vendimeve të gjykatave amerikane për dy drejtuesit e lartë të fushatës presidenciale të Donald Trump.
Për të parën herë ka dyshime të forta për një President amerikan të epokës moderne se është përfshirë në shkeljen e ligjeve të fushatës elektorale. Pyetja që shtron BBC është nëse Trump do të dalë apo jo përpara gjykatës?
Lanny Davis, përfaqësuesi ligjor ish – avokatit të Presidentit, e tha qartë në intervistat për mediat amerikane se pagesën e urdhëroi Donald Trump në shkelje të ligjit.
“Donald Trump i kërkoi Cohen për të bërë atë pagesë. Cohen është i angazhuar për ta thënë atë të vërtetë. Dhe nëse këto pagesa përbënin krim për të, pse s’qenkan krim edhe për Donald Trump”?
Sipas avokatit, Cohen i hapet rruga tashmë për të thënë gjithçka di edhe për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016, por pa specifikuar se çfarë informacionesh mund të ketë klienti i tij për këtë çështje.
Por duke qenë në postin e presidentit, ka shumë pak gjasa që ndaj Trump të ngrihen akuza. Një ndër skenarët e mundshëm, sipas BBC, është që presidenti të shkarkohet nga Kongresi, nëse ka fakte të forta për “krime të rënda dhe kundravajtje ligjore”.
Por Kongresi ku republikanët kanë shumicën, ka pak të ngjarë që të marrë një vendim të tillë, sipas medias tjetër amerikane NBC. Gjithsesi situata mund të ndikojë në popullaritetin e Trump për zgjedhjet e mesit të mandatit presidencial, ku votohet për përfaqësuesit e rinj të dhomës së ulët dhe 1/3 e vendeve të Senatit.
Tv Klan