Stuhi dëbore në veri, bllokohen zonat e thella


Stuhi dëbore në veri, bllokohen zonat e thella

15:30 25/02/2018

Reshjet e dëborës dhe ngricat mbërthejnë veriun dhe verilindjen e vendit, duke shkaktuar probleme në qarkullimin e mjeteve kryesisht në zonat e thella.

Në orët e para të mëngjesit temperaturat zbritën deri në -4 gradë. Nga Fushë Dukagjini deri në Reps, reshjet e dëborës të shoqeruara me erëra të forta penguan qarkullimin normal të mjeteve në Rrugën e Kombit.

Në të dyja anët e tunelit po punojnë tetë mjete borëpastruese për normalizimin e situatës. Probleme ka edhe në akset e tjera rrugore që lidhin Kukësin me Peshkopinë, Hasin dhe Tropojën.

Në Dibër trashësia e dëborës arriti 35 cm. Njësitë administrative, Lurë, Kalaja e Dodës, Selishtë, Trebishtë dhe Ostren janë të bllokuara. Rruga nacionale Kukës- Peshkopi kalohet me vështirësi, ndërsa ura e Sheranecit është e bllokuar.

Në Shkodër në akset rrugore malore Oge-Theth, Tamare-Vermosh dhe aksin Iballë-Pukë qarkullohet me vështirësi. Për shkak të motit me temeperatura të ulëta disa gradë nën zero dhe reshje bore, Ministria e Mbrojtjes së bashku me Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura janë në gatishmëri.

Sipas sinoptikanëve, moti me temperatura ekstreme të ulta dhe reshje dëbore pritet të zgjasin deri të mërkurën dhe do te prekë rreth 90 përqind të territorit të vendit.

Tv Klan






Të ngjashme