Ademi: Dhunuesit e selisë së PS-së nuk kanë lidhje me protestën
“Janë të pambështetur nga protestuesit, policia nuk veproi pasi i njoftova”
Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, ka reaguar pas përshkallëzimit të protestës ku u dëmtua selia e Partisë Socialiste.
Në një postim në Facebook, ajo thotë se e kishte detyrim që të ndodhej sëbashku me shkodranët e revoltuar. Ademi shprehet se shkodranët nuk mbështesin dhe as nuk duan thyerjen e selisë së PS-së.
Kryebashkiakja e Shkodrës shton se personat që thyen xhamat e selisë dhe më pas u futen brenda për të nxjerrë disa objekte janë të rinj të panjohur dhe të pambështetur nga protestuesit e tjerë. Sipas Ademit, ata janë drejtuar nga selia e PS-së.
Ademi shkruan më tej se ka njoftuar policinë e cila sipas kryebashkiakes nuk ka bërë asnjë veprim ndërkohë që dhunohej selia. Të gjithë këtë situatë, Voltana Ademi e quan provokim dhe u bën thirrje qytetarëve që të mos bien pre e saj.
“Si qytetarja e parë e Shkodrës kisha përgjegjësinë të isha sot me shkodranët e revoltuar nga arbitrartieti që çon deri në vrasje, e shtetit policor të ndërtuar nga Edi Rama në këto 7 vjet. Ne bëmë detyrën tonë ndaj demokracisë dhe lirisë në një marshim paqësor. Thyerja e selisë së Partisë Socialiste nuk është ajo që ne duam dhe ajo që ne shkodranët mbështesim. Ne nuk kemi nxitur kurrë urrejtje politike as në kohërat më të errëta dhe përsekutimin më të egër, nuk nxisim as sot as dhunën, as urrejtjen mes vedit.Qytetarët duhet ta dinë se kur disa të rinj, të panjohur dhe të pambështetur nga protestuesit e tjerë, u drejtuan nga selia e PS, njoftova autoritetet më të larta të Policisë në Shkodër. Policia ndenji me duar në xhepa, duke parë dhunimin e selisë, pa bërë asnjë veprim. Të rinjtë dhe qytetarët nuk duhet të bien pre e asnjë provokimi kriminal, siç ka ndodhur në Tiranë nga regjimi i Edi Ramës dhe siç po ndodh sot në Shkodër. E drejta për të protestuar është legjitime dhe ajo duhet të ushtrohet pa pengesa dhe tejkalime”, tha Ademi.
Protesta në Shkodër nisi paqësisht, por u përshkallëzua më vonë teksa disa pjesëmarrës hodhën gurë e sende të forta drejt zyrave të Partisë Socialiste për Shkodrën duke thyer fillimisht xhamat.
Më pas ata u futën brenda në godinë, nxorën jashtë objekte që ndodheshin në të dhe u vunë flakën.
Një grup të rinjsh hodhën hurma në drejtim të policisë, ndërsa dhunës nuk i kanë shpëtuar as tabelat e reklamave në rrugë, të cilat u dogjën nga tubuesit.
Për të shpërndarë protestuesit ndërhynë Forcat e Ndërhyrjen së Shpejtë, që hodhën gaz lotsjellës dhe krijuan barrikadë përpara hyrjes së godinës.
Protestuesit kanë kërkuar largimin e Kryeministrit Edi Rama dhe Drejtorit të Policisë së Shtetit Ardi Veliu./tvklan.al