Agjencitë dhe tur-operatorët në “koma”
Shumë në prag falimenti, kërkojnë paketë financiare nga qeveria
Dorina Xhepa së bashku me bashkëshortin prej një viti kanë hapur një agjenci turistike si një mënyrë punësimi, por duket se hapi për të nisur këtë biznes nuk përkoi me kohën më të artë. Sot po vuajnë pasojat e pandemisë me gjithë vështirësite që sjell ajo.
Frika nga virusi i ka stepur qytetarët të udhëtojnë edhe në destinacionet e mbetura si Turqia, apo vendet e rajonit.
Ndërsa turizmi vendas nuk është një opsion që i ndihmon këto subjekte pasi qytetarët zakonisht udhëtojnë me makinat e tyre dhe nuk kanë nevojë për ndërmjetësimin e agjencive
“Nëse vazhdojnë këto politika normalisht ne do mbyllemi. Turizmi vendas nuk i ndihmon të mbajnë në këmbë”.
-Sa e vështirë është të mbijetoni?
“Shumë e vështirë. Kjo është arsyeja që një pjesë po punojnë nga shtëpia”.
Besnik Vathi , anëtar bordi i Shoqatës së tur-operatorëve thotë në emisionin Pro Business në Klan Plus se në total agjenci turistike dhe tur-operatorë numërohen afro 4000 dhe ka nisur mbyllja e shumicës prej tyre.
“Rreth 50 përqind e tyre ose kanë pezulluar aktivitetet ose e kanë kthyer në aktivitet tjetër”.
Kërkesën për mbështetje financiare ja kanë drejtuar Ministrisë së Turizmit por ende nuk kanë marrë përgjigje.
Agjentët turistik thonë se pushimet mund t’i shijojnë ata persona që e kanë kaluar virusin.
Klan Plus